Ra ky pallat e u pamë
Ngjarja e djeshme në Gjirokastër, ku nga rrëzimi i një pallati 5 katësh rezultojnë të paktën 3 të humbur dhe 20 të lënduar sërish në plan të parë nxori zellin e politikanëve për të qenë violina e parë edhe në tragjedi. Edhe këtë radhë titujt që duhet të fokusoheshin tek ngjarja, te viktimat e mundshme, te të plagosurit, te operacionet e shpëtimit, te hetimi, te shkaqet dhe tek fati i atyre që dolën gjallë nga kjo tragjedi u zëvendësuan me deklaratat e politikanëve.
Me një vrull dhe shpejtësi që do ta kishte zili çdo media, përfaqësues të qevirisë, opozitës dhe shoqërisë civile nxituan në vendngjarje. Për orë të tëra politikanët zëvendësuan gazetarët me raporte dhe deklarata për shtyp. Përfaqësues të partive të mëdha dhe jo shumë të mëdha u kthyen në "star"-in e fatkeqësisë.
Por jo të gjithë ishin të pranishëm në vendngjarje. Të paktën nga sa u raportua në televizione nuk pamë në vendngjarje, prokurorin, inxhinjerët aq shumë të kërkuar për këtë rast, punonjësit e emergjencës civile, policë etj.
Në vend që gazetarët të fokusohen tek ngjarja, vëmendja dhe titujt janë te politikanët: "X po lëviz nga vendngjarja drejt spitalit". "Mbërriti në vendgjarje dhe Y", "Z interesohet për të plagosurin në spital", "Pritet të vijë edhe..." etj.. Aq i lartë ishte fokusi tek politikanët saqë stacione që merren me lajmin 24 orë harruan të përmendin se të parët që mbërritën në vendngjarje ishin 7 specialistë të huaj.
Deklaratat e politikanëve dhe lidhjet direkte që fillonin me fjalinë "pritet nga momenti në moment të mbërrijë edhe..." a thua se mbërritën shpëtimtarët e situatës, krijuan konfuzion për të mësuar përmasat e plota të asaj çfarë kishte ndodhur. Njoftimet e para për tragjedinë u dhanë në mesditë në orën 12:00 dhe pasi dëgjuam gjithfarë deklarate e prononcimi vetëm pas 7 orësh u mësuan emrat e tre personave të mbetur në rrënoja!!
Në edicionet kryesore të lajmeve disa kanale na shërbyen edhe lajme për shembje ndërtesash nëpër botë. "Ja, këto gjëra ngjasin, madje ka edhe më shumë viktima". Në fakt dje, koha ka qenë e mjaftueshme për të bërë krahasime dhe për të arritur në konkluzionin se shembjet e pallateve nëpër botë nuk kanë lidhje me rastin shqiptar, me prishjen e kushteve urbanistike, ku krimi që u konsumua dje ka ndodhur para syve të të gjithëve. Tragjedia e djeshme i ka rrënjët tek: agresiviteti ndaj ligjit dhe rregullit në ndërtime. Dje duhet të kemi qenë me fat sepse "rrëzimi ndodhi gjatë ditës" dhe jo gjatë natës. Pas fazës së show-t është koha për t'u ndalur gjerësisht me këtë fenomen. Nuk është e nevojshme që të përsëritet në Shqipëri "tërmeti turk" i vitit 1999 për të nxjerrë mësimet. Ne nuk jemi imunë nga fatkeqësitë, qofshin natyrore, qofshin për shkak të dorës së njeriut, ajo çfarë na mungon është nxjerrja e mësimeve nga tragjeditë.
Politikanët bëjnë mirë që i ndodhen tjetrit në fatkeqësi a tragjedi. Kyështë akt që çdokush e pret nga një politikan i përgjegjshëm. Do të ishte fatale nëse kryeministri apo edhe lideri i opozitës të vazhdonin "axhendën" pas kësaj tragjedie. Por mënyra e pasqyrimit, vendi, hapësira dhe roli që u kushtohet politikanëve duhet ridimensionuar. Ajo që ndodhi dje ishte rasti i radhës ku të krijohet përshtypja se politikanët më shumë se për atë që ndodhi shqetësohen për PR-in "marrëdhëniet me publikun". Nuk do të ishte e drejtë që shënjestra e përgjegjësisë t'u drejtohej vetëm atyre. Këtu "pjesa e luanit" në përgjegjësi është e medias që fokusin nga vendngjarja dhe shkaqet e kthejnë tek politikanët. Dhe kështu tragjeditë nga një vend për të mbajtur zi e për të nxjerrë mësime kthehen në një rast të mirë për "qoka televizive".
Dikur për shkak të terrenit të thyer dhe vështirësive nëkomunikim njerëzit nuk takoheshin shpesh me njëri – tjetrin. Por ishte një rast ku ishte e sigurtë se do të shiheshin- rastet e vdekjes. Nga kjo traditë doli shprehja "Ra kjo mortje e u pamë". Edhe politikanët tanë nuk takohen shpesh me njëri- tjetrin se janë edhe kundërshtarë, por edhe dje... "ra ky pallat e u pamë".