E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radioaktiviteti Shqipëria s' rrezikohet nga reja e Fukushimës

TIRANE- Pas paralajmërimeve të shpërndara nga mediat italiane që u bëjnë thirrje qytetarëve të tyre që të ruhen nga reshjet e shiut, pasi mund të përmbajnë përqendrim të lartë radioaktiviteti nga shpërthimet në Fukushima, specialistët shqiptarë të kësaj fushe hedhin poshtë çdo mundësi që edhe Shqipëria të mund të ketë rreziqe. Skënder Koja, i cili ka drejtuar për vite me radhë Institutin e Fizikës Bërthamore në Shqipëri, shpjegon se nuk ka vend për panik pasi është e pamundur që reja e rrezatimit të mbërrijë deri në vendin tonë. "Ekspertët në mbarë botën janë mbledhur dhe kanë parashikuar se deri ku mund të mbërrijë efekti. Sigurisht që ne jemi shumë larg dhe për vendin tonë as që bëhet fjalë se mund të ketë një rrezik të tillë. Por unë doja të shtoja se që njerëzit të jenë vërtetë të kërcënuar nga radioaktiviteti duhet që përqendrimi i niveleve të lëndëve radioaktive të jetë me mijëra herë më i lartë se sa përqendrimi natyror dhe të jesh i ekspozuar për një periudhë disaditore. Këtu jemi të gjithë të bindur se nuk mund të vijë që nga Japonia një re e ngarkuar me një përqendrim aq të lartë radioaktiviteti, ndaj unë e them me bindje të plotë, si specialist i fushës, se këtu nuk ka vend për panik", - ka shpjeguar Skënder Koja, specialist i kësaj fushe. Sipas tij, paralajmërime të kësaj natyre nuk kanë baza reale, pasi nëse do të ishte kështu do të ishin institucionet e specializuara ata që do të jepnin alarmin.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›