Rafati u shpëtua nga asistentët e tij
Presidenti i Federatës gjermane të Futbollit (DFB), Teo Zvanziger ka bërë të ditur se gjyqtari Babak Rafati është shpëtuar nga asistentët e tij pas tentativës për vetëvrasje. Ai pranon se presioni ndaj gjyqtarëve është i madh, por çuditet se si dikush mund të shohë vetëm një rrugëdalje. Presioni i madh ndaj atyre që janë të përfshirë në futboll është vënë sërish në qendër të vëmendjes në Gjermani, pas ndodhisë së gjyqtarit Rafati, para ndeshjes së Bundesligës mes Këlnit dhe Maincit, të shtunën. Dy vjet pas vdekjes tragjike të portierit gjerman, Robert Enke, i çili u vetëvra pas betejës disavjeçare me depresionin, lajmi për tentimin e vetëvrasjes nga Rafati ka bërë bujë në ligën gjermane. Rafati, 41-vjeç, ishte gjetur në tualet në dhomën e një hoteli në Këln, nga asistenti i tij, në mëngjesin e së shtunës pasi kishte tentuar të bënte vetëvrasje duke prerë damarët. Gjendja e tij u stabilizua më pas në spital dhe ai pritet të qëndrojë në kujdes intensiv për ditët e ardhshme, por hetimet rreth motiveve që e shtynë të vetëvritej do të zgjasin më tepër. Presidenti i Federatës gjermane të Futbollit (DFB), Teo Zvanziger ka shprehur habinë e tij rreth ngjarjes së rëndë. “Mendoj se gjëja më e rëndësishme është se shëndeti i tij është i qëndrueshëm. Është një situatë e rëndë ku një prej gjyqtarëve kryesor tenton të bënë vetëvrasje dhe është gjithmonë shumë e vështirë të mendohet se një njeri relativisht i ri mund të shohë vetëm një rrugëdalje”, tha Zvanziger, i çili pranoi se gjyqtarët janë nën presion të madh. “Mund të shpjegoj se presioni ndaj gjyqtarëve për arsye të ndryshme është jashtëzakonisht i madh. Do të ishte e gabuar dhe e padrejtë të spekulohet tani se si erdhi kjo situatë, por shpresojmë që ai t’i kthehet jetës normale dhe të jetë sërish i shëndoshë. Babak nuk kishte ardhur për mëngjes, dhe nuk ishte paraqitur në takim për të diskutuar ndeshjen, asistentët e tij e hapën dhomën dhe e gjetën në tualet. Kishte shumë gjak, kjo është krejt sa mund të them”, shtoi ai.