Bayern e Inter ecën përpara

Pas Barcelonës, Milanit e Real Madridit, edhe Bayern Munchen e Inter kanë siguruar kualifikimin në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve. Madje, gjiganti bavarez kualifikimin nga faza e grupeve e ka siguruar si lider i Grupit A, fal fitores që e shënoi të martën mbrëma ndaj Villarrealit me rezultat 3:1.
Ndërsa, ndeshja tjetër e këtij grupi mes Napolit të Blerim Xhemailit dhe Manchester Cityt ka përfunduar me rezultat 2:1. Njëherësh kjo ishte kryendeshja e mbrëmjes dhe me këtë fitore, Napoli ia ka rrëmbyer vendin e dytë në grup skuadrës angleze, duke e bërë kështu një hap të madh drejt kualifikimit, pasi ndeshjen e fundit të fazës së grupeve do ta zhvillojë ndaj Villarrealit, i cili është eliminuar nga garat evropiane. Kurse, Manchester Cityt me këtë humbje iu kanë zbehur shumë gjasat për t’u kualifikuar. Xhemaili ka luajtur gjatë 30 minutave të fundit të këtij takimi.
Ndërsa, Interit i ka mjaftuar një barazim si mysafir i Trabzonsporit 1:1, për ta tejkaluar fazën e grupeve. Ndeshja tjetër e Grupit B mes CSKA Moskës dhe Lille ka përfunduar me rezultat 0:2 për francezët.
E paqartë mbetet situata në Grupin C, pasi Manchester United ka luajtur baras 2:2 me Benfican, të cilët tani i kanë nga nëntë pikë në grup. Këtë barazim mirë e ka shfrytëzuar Baseli i Xherdan Shaqirit e Taulant e Granit Xhakës, pasi skuadra zvicerane e ka mposhtur me rezultat 2:3 Otelul Galatin, duke hyrë seriozisht në garë për kualifikim nga faza e grupeve me tetë pikë të tubuara deri më tani. Shaqiri ka luajtur gjatë 83 minutave të këtij takimi, derisa Granit Xhaka ka luajtur gjatë gjithë ndeshjes. Sidoqoftë, Gjithçka në këtë grup do të qartësohet pas xhiros së fundit të fazës së grupeve.
Në Grupin D, Real Madridi – i cili më herët e ka siguruar kualifikimin – e ka mposhtur me rezultat të thellë, 6:2 Dinamon e Zagrebit, ku luajnë Fatos Beqiraj e Arijan Ademi, i cili për herë të parë luajti në Ligën e Kampionëve.
Kurse, pavarësisht humbjes, sulmuesi pejan, Fatos Beqiraj e ka realizuar ëndrrën e tij, pasi ia ka dalë ta shënojë një gol në Santiago Bernabeu kundër gjigantit evropian. Takimi tjetër i këtij grupi mes Lyonit e Ajaxit ka përfunduar pa gola, andaj këto dy skuadra kualifikimin do ta kërkojnë në xhiron e fundit, ndonëse gjasat më të mëdha për t’u kualifikuar i ka Ajaxi.
Liga e Kampionëve
Rezultatet
Grupi A
Bayern M – Villarreal 3:1
Napoli - Man City 2:1
Tabela ND PI
1. Bayern 5 13
2. Man City 5 7
3. Napoli 5 8
4. Villarreal 5 0
Grupi B
CSKA – Lille 0:2
Trabzonspor – Inter 1:1
Tabela
1. Inter 5 10
2. Trabzonspor 5 6
3. CSKA 5 5
4. Lille 5 5
Grupi C
Man. United – Benfica 2:2
Otelul Galati – Basel 2:3
Tabela
1. Benfica 5 9
2. Man Utd 5 9
3. Basel 5 8
4. Otelul G 5 0
Grupi D
Lyon – Ajax 0:0
Real Madrid – Dinamo Z. 6:2
Tabela
1. Real Madrid 5 15
2. Ajax 5 8
3. Lyon 5 5
4. Dinamo Zagreb 5 0