Xhafaj: Lushaj? Një anonim që më provokoi
Sulmuesi vlonjat i Skënderbeut komenton situatën e sherrit në fund të pjesës së parë kundër Flamurtarit. Sipas tij, ai gjendej afër pankinës kuqezi, pasi po priste që të futej në fushë
Rrëmuja e së shtunës duket se do të diskutohet gjatë. Janë prapë Skënderbeu e Flamurtari që tërheqin vëmendjen e tërë kampionatit mbi vete, pasi në Korçë, përveç futbollit të bukur pati edhe probleme si ato të sezonit të shkuar. Madje kësaj here më keq. Kur gjyqtari Hoxha akordoi një 11-metërsh inekzistent në dëm të vlonjatëve, këta të fundit nuk humbën kohë që të protestonin pasi një sezon më parë me Jeminin “u dogjën”. Mbi të gjitha, drejtuesit e Flamurtarit i kishin dërguar një shkresë zyrtare Federatës Shqiptare të Futbollit që të mos caktonte dy emra për të drejtuar atë 90-minutësh delikat, ku njëri prej tyre ishte pikërisht Edvin Hoxha. Ndaj, kësaj radhe vlonjatët nuk ngurruan ta vinin me shpatulla pas murit kryesorin e ndeshjes, që nuk hoqi dorë nga vendimi i tij. Njeriu që mori penalltinë ishte Daniel Xhafaj, ish-lojtari i Flamurtarit, por pakkush e vuri re se sulmuesi doli nga fusha e lojës pas kontaktit dhe u pozicionua buzë fushe, mu përballë stolit të Flamurtarit. Në fakt, rregullorja e parashikon që lojtari të kthehet aty ku bashkohet vija e mesit të fushës me vijën anësore, ndërsa Xhafaj ishte spostuar pak metra në territorin e “armikut”. Pasi Blendi Shkëmbi realizoi golin, të gjithë u bënë protagonistë të një ngjarjeje nga ato që nuk duhet t’i përjetojë futbolli shqiptar. Xhafaj e kap me trajnerin Lutaj, ndërsa drejtori teknik Lushaj ndërhyn duke pësuar në fillim një konfrontim verbal me vlonjatin dhe më pas të pështyrën e “të fortit” Ditmar Biçaj, gjithnjë protagonist në episode të tilla. Në fjalën e tij pas ndeshjes, drejtori Lushaj u shpreh se nuk e kuptonte arsyen e vendndodhjes së Xhafajt përballë stolit kuqezi (me siguri i hutuar nga penalltia nuk e ka vënë re që sulmuesi u shoqërua jashtë fushe nga mjeku) dhe se ish-lojtari i Flamurtarit ishte pikërisht njeriu që provokoi sherrin. Por, Daniel Xhafaj nuk ka vonuar që të replikojë, duke sqaruar situatën e tij. Vetë sulmuesi tregon se ka qenë provokuar nga trajneri Lutaj dhe drejtori Lushaj dhe se nuk e njeh këtë të fundit, duke e cilësuar anonim, pavarësisht se Lushaj ka qenë një nga kolonat e brezit të artë të Flamurtarit të viteve ’80. “Unë ndodhesha afër stolit të Flamurtarit jo se kisha qejf, por sepse dola jashtë fushe pas goditjes që mora (ndërhyrja e Abraham dhe Veliut në momentin e penalltisë) dhe po prisja që të rikthehesha në lojë pas sinjalizimit të kryesorit. Por ja që Shkëmbi shënoi dhe unë gëzova. Në atë moment mora një lumë të sharash nga ai trajner që gjoja vjen nga jashtë (Lutaj) dhe nga ai anonimi që ka atë detyrë që e di vetë sesi e ka marrë (Lushaj). Dua vetëm të theksoj se më vjen keq për atë situatë që mu vesh mua dhe dua të garantoj tifozët e Flamurtarit se nuk kam pasur për qëllim që të krijoj sherr me skuadrën e qytetit tim”, ka deklaruar sulmuesi i Skënderbeut, Daniel Xhafaj.