E Diel, 1 Nëntor 2026

Rahoveci prej një viti me ushtrues detyre të avokatit publik

Komuna e Rahovecit është pa avokat publik komunal prej një viti. Për mungesë të avokatit, lëndët që kanë të bëjnë me konteste të ndryshme rreth pronësisë së Komunës i përfaqëson ushtruesi i detyrës së avokatit publik komunal, drejtori i Qendrës për Punë Sociale (QPS), Bilbli Oruçi, i cili prej shkurtit të vitit të kaluar po e ushtron këtë detyrë. Shefi i Zyrës ligjore, Isak Hoti, thotë se Komuna në parim ka avokatin e saj.

“Këtë punë po e ushtron një zyrtar komunal. Sipas të gjitha gjasave, ky post do të jetë me ushtrues detyre derisa të sqarohen pozicionet e zyrtarëve sipas nivelimit të pagave si dhe rregullimit të Zyrës së përfaqësimeve pasi që Zyra e avokatit publik komunal është duke punuar me Ligj të vjetër të vitit 1975”, ka deklaruar Hoti.

Sipas Hotit, Komuna e Rahovecit asnjëherë nuk ka munguar nëpër organet e drejtësisë dhe përfaqësimi si dhe mbrojtja e çështjeve në gjykata është kryer më së miri. ”Këtë mund të vërtetoni si në regjistrat e avokaturës publike dhe në Gjykatën komunale. Ushtruesi i detyrës së avokatit publik ka kryer trajnimin 3-mujor për provimin e jurisprudencës dhe është certifikuar për këtë, prej 2 shtatori deri më 1 dhjetor 2012 “, ka thënë shefi i Zyrës ligjore. Ai ka bërë të ditur se avokati aktual ka marrë pjesë edhe në trajnime të tjera, si dhe ka kaluar provimin me shkrim të jurisprudencës.

Nga ana tjetër, Naim Cahanaj, përfaqësues i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), subjekt i cili monitoron punën e Kuvendit Komunal të Rahovecit, thotë se është vështirë të jepet një provizion ligjor, sepse ka zbrazëti Ligji./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›