E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti: Banorët e Mjakut duan mbështetje për kthim në shtëpitë e tyre

Njëzetë familje nga fshati Mjak, kanë përsëritur kërkesën drejtuar autoriteteve komunale për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga lufta. Ndonëse me një strategji të Qeverisë lokale të vitit 2004, një gjë e tillë ishte paraparë, asnjë veprim përpos këtij dokumenti nuk u ndërmor.

Në pamundësi për ta bërë rindërtimin e shtëpive vetë, banorët vazhdojnë të jetojnë nëpër lokalitete të ndryshme në Viti.

Xhezair Beqiri, banor i fshatit Mjak, i cili që nga paslufta në Kosovë, jeton në fshatin Drobesh, ka thënë se si për të ashtu edhe familjet tjera, është vetëm një ëndërr që të kthehen në shtëpitë e tyre në fshatin e lindjes. “Si familjet që kanë siguruar shtëpi në vende të tjera ashtu edhe për familjet që ende nuk kanë shtëpi të tyre, ekziston vetëm një dëshirë kthimi në Mjak, pasi aty e kanë tokën dhe pasurinë”, ka thënë Beqiri. Ai ka theksuar se kthimi në Mjak, është i pamundur, pasi të gjitha shtëpitë janë të shkatërruara, nuk ka rrymë, shkollë e mbi të gjitha rruga për në fshat është e pakalueshme. “Janë 20 familje që janë shprehur se me rregullimin e rrugës dhe me pak ndihmë për të ndërtuar shtëpitë mund të kthehen në fshat, por askush deri më tani nuk na ka ndihmuar”, ka thënë Beqiri. Ai ka theksuar se dëshira për t`u kthyer lidhet edhe me gjendjen e rëndë sociale në të cilat jetojnë shumica e familjeve nga ky lokalitet, pasi ata sa kanë jetuar në Mjak, veprimtari kryesore për jetesë kanë pasur bujqësinë dhe blegtorinë.

“Familja ime ka pasur katër hektarë tokë pune, me të cilat kemi jetuar, kurse tani jemi të detyruar që të punojmë punë të tjera vetëm për bukë të gojës”, ka thënë Beqiri. Edhe Mifail Metallari, banor i Mjakut që jeton në Viti, shprehet i brengosur se nuk po ka mundësi të kthehet në fshat shkaku i rrugës dhe i mungesës së shtëpisë.

“Kam rreth 100 krerë dele me të cilat siguroj mbijetesën e familjes, dhe ato në vend se ti mbajë në fshatin ku kam lindur e ku ekzistojnë kushte ideale për blegtori, jam i detyruar t’i mbajë këtu në Viti”, ka thënë Metallari. Ai ka theksuar se disa herë ka shkuar në komunë dhe ka kërkuar që së paku të ndihmohet fshati me rregullimin e rrugës nga Debelldehu deri në Mjak, por këto kërkesa nuk i ka marrë askush parasysh.

“Si banor dhe votues në këtë komunë, disa herë kemi shkuar tek drejtuesit e komunës dhe kemi kërkuar ndihmë, por fatkeqësisht askush nuk është interesuar që të na përkrahë që të kthehemi në fshatin tonë”, ka thënë Metallari.

Nga ana tjetër, sipas drejtuesve të Komunës së Vitisë, buxheti i limituar i Komunës ka bërë që ky fshat mos të gjejë përkrahje.

“I dimë problemet e fshatit Mjak, por pos që pak kemi pas kërkesa nga banorët e këtij fshati që të kthehen, kemi një buxhet të limituar që të përmbushim nevojat që ka ky lokalitet për t’u rindërtuar”, ka thënë Islam Jashari, drejtor komunal për ekonomi. Ai ka theksuar se për të mbështetur fshatin Mjak duhet edhe mbështetja e institucioneve qendrore, pasi aty krahas rrugës duhet ndërtuar komplet edhe infrastruktura tjetër e nevojshme për jetë në këtë lokalitet./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›