E Diel, 1 Nëntor 2026

Rajkard, në mbrojtje të Lorik Canës: Është lojtari ideal për futbollin turk

Deklarata Trajneri holandez i Gallatasarait e cilëson mesfushorin shqiptari si një lëvizje të goditur në merkato

Pavarësisht kritikave nga mediat dhe opinioni sportiv në Turqi për lojën e fortë të Lorik Canës, trajneri Frenk Rajkard ka dalë në mbrojtje të stilit të mesfushorit shqiptar. Drejtuesi i stolit të Gallatasarait u shpreh se 27-vjeçari i afruar nga anglezët e Sandërlend është një futbollist ideal për Superligën, një kampionat ku skuadrat preferojnë lojën fizike për të marrë rezultatet e dëshiruara. “Futbolli në Turqi është mjaft i ashpër. Këtu skuadrat nuk mendojnë të bëjnë lojë të bukur dhe tërheqëse për publikun, por kërkojnë vetëm rezultate. Arritja e rezultateve pozitive është primare edhe për tifozët. Për këtë arsye mund të them se blerja e Lorik Canës dhe Lukas Neil është e menduar mirë”, deklaroi tekniku holandez. “Ata janë dy lojtarë që i përshtaten më së miri stilit të futbollit turk. Gallatasarai im është një skuadër që mendon më së shumti të sulmojë dhe të zhvillojë lojë të bukur, e për këtë arsye na është dashur që të shtojmë fuqinë në fushë. Për këtë arsye mund të them se Cana dhe Neil ishin elementët që na nevojiteshin. Ata janë idealë për Superligën”.
Në momentin e parë të transferimit të Canës te gjigandët turq nga Sandërlendi, për shifrën 6 milionë euro, drejtuesit e Gallatasarait dhe stafi teknik ishin kritikuar për afrimin e lojtarit të përfaqësueses shqiptare. Fama për ashpërsinë në duelet me kundërshtarët dhe ndëshkimet e shpeshta me kartonë i kishte paraprirë kuqeziut, ndërsa ai konfirmoi epitetin si “shkatërrues” gjatë miqësoreve të ekipit në fazën përgatitore. 27-vjeçari nuk është ndikuar nga kritikat, përkundrazi u kundërpërgjigjej mediave se “ato ende nuk kanë parë lojën e tij më të fortë”. Stili i lojës së Canës ishte shndërruar në çështje edhe në Premiership, gjithsesi zv.kapiteni i Kombëtares vazhdon të këmbëngulë se ai nuk ka ndërmend të ndryshojë asnjë presje. Madje, ai beson se në këtë mënyrë do të mund t’i shërbejë më mirë skuadrës nga Stambolli. Cana ka firmosur kontratë 4-vjeçare me Gallatasarain. Ai dhe skuadra e Rajkard do të përballen të enjten me OFK Beograd, në ndeshjen e kthimit të turit të tretë eliminator të Europa League.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›