E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia, 0-0 mes tensionit me malazezët e Novi Pazar

Miqësorja

Vllaznia regjistron rezultatin e parë pozitiv në fazën përgatitore që po zhvillon në Zllatibor të Serbisë, pas tri humbjeve radhazi. Shkodranët e kanë mbyllur në barazim pa gola miqësoren e djeshme me malazezët e Novi Pazar, një ndeshje e cila është karakterizuar nga loja e ashpër e lojtarëve kundërshtarë, që ka shkaktuar edhe tension në fushë. Për t’u theksuar është edhe fakti se në këtë sfidë mjaft të luftuar kuqebluve u është mohuar edhe një gol. Trajneri Mojash Radonjiç e ka shfrytëzuar edhe përballjen me Novi Pazarin për të testuar skuadrën, në mënyrë që të gjejë vendosjen më të mirë taktike në fushë, në prag të sezonit të ri. Formacioni i përdorur nga Vllaznia ishte klasiku 4-4-2, ku në portë është aktivizuar “gardiani” malazez, Vujadinoviç. Eksperimenti më i rëndësishëm për teknikun Radonjiç ka qenë ai në qendër të mbrojtjes, ku Kraja dhe Kuka kanë luajtur përkrah njëri-tjetrit, ndërsa nga krahët janë aktivizuar Smajli e Gocaj. Asnjë ndryshim në mesin e fushës në krahasim me miqësoren e fundit kundër Zetës, ndërsa sulmi është përbërë nga dyshja Nimani-Jumiç. Në takimin e djeshëm janë aktivizuar të gjithë lojtarët, duke përfshirë këtu të rinjtë dhe kosovarin Mensur Limanaj, i cili ende nuk ka marrë një përgjigje nga stafi teknik nëse është i vlefshëm për kuqeblutë. Në datat 5 dhe 8 gusht, shkodranët pritet të zhvillojnë edhe dy miqësore të tjera në tokën serbe.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›