E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtegtimi i pakuptimtë i ekipeve elitare

Vetëm Tirana ka zgjedhur Pukën. Tetë skuadra, duke përfshirë edhe Skënderbeun, preferojnë të stërviten në Maqedoni Dhjetë nga 12 skuadrat e Superiores kanë injoruar zonat malore në vend për fazën përgatitore

Largimi i skuadrave elitare për fazën përgatitore jashtë Shqipërisë është kthyer në një modë. Zgjedhja për të “shtegtuar” gjatë muajve të nxehtë të verës ka arritur deri në kufijtë e “non sensit”. Kjo edhe për faktin se relievi malor i vendit tonë mund t’u ofrojë klubeve të futbollit kushte shumë të favorshme për të punuar në prag të startit të sezonit. Justifikimi i përdorur gjerësisht është se në vendet fqinje skuadrat punojnë në terrene me infrastrukturë të mirë, por e vërteta është se diçka e tillë mund të sigurohet edhe në qytetet me lartësi të konsiderueshme nga niveli i detit brenda 28 mijë kilometrave katrore. Madje, në shumë raste kushtet e qëndrimit dhe stërvitjes mund të jenë edhe më të mira se ato që i presin jashtë kufijve.

Përpara startit të edicionit 2010-2011 në Kategorinë Superiore janë plot 10 skuadra (nga 12 që militojnë në aktivitetin më të rëndësishëm), që kanë zgjedhur të përgatiten larg Shqipërisë. Maqedonia, dhe kryesisht Ohri, janë destinacioni i preferuar i ekipeve elitare, ndërsa tetë prej tyre kanë kaluar pikën kufitare të Qafë-Thanës. Përveç Teutës e Laçit që ndodhen në Strugë dhe Besës që është akomoduar në Mavrovë, pesë skuadra të tjera (Skënderbeu, Flamurtari, Kastrioti, Shkumbini dhe Bylis) ndodhen në Ohër. Qyteza maqedonase është vetëm pak kilometra larg Pogradecit apo Korçës, dy qyteteve ku faza përgatitore mund të zhvillohet në kushte optimale dhe duke mos i rënduar kaq shumë arkat e klubeve. Për këtë arsye, ajo që habit më shumë është fakti se drejtuesit e Skënderbeut, që cilësohet si një prej vendeve ideale për të zhvilluar stërvitjet në muajt e verës, kanë qenë ndër të parët që vendosën ta “injorojnë” Korçën, duke e detyruar skuadrën e Shkëlqim Muçës të bëjë gati valixhet dhe të stacionohet në Ohër. Vllaznia, që gjatë vitet e fundit ka qenë mjaft e lidhur me Malin e Zi, tashmë ka ndërruar destinacion. Edhe pse në drejtimin e skuadrës ka ardhur trajneri malazez, Mojash Radonjiç, drejtuesit shkodranë kanë përcaktuar Zllatiborin në Serbi, si vendin ideal për t’u përgatitur. Skuadra e fundit për nga radha, por absolutisht jo për nga rëndësia, e cila ka vendosur ta “braktisë” Shqipërinë, është Dinamo. Kampionët në fuqi po vazhdojnë fazën në Maribor të Sllovenisë. Por, ndryshe nga skuadrat e tjera, blutë i kanë pasur idetë e qarta rreth përgatitjeve jashtë vendit: zhvillimi i ndeshjeve miqësore me ekipe të njohura europiane, në mënyrë që përveç përgatitjeve, lojtarët të përfitojnë edhe eksperiencë. Të dielën ata zhvilluan miqësoren e luksit me Palermon (ku humbën 4-0), ndërsa sfidat e radhës për të besuarit e trajnerit Luis Blanko do të jenë me spanjollët e Real Sociedad (nesër) dhe portugezët e Nacional Madieras (më 7 gusht).

Në momentin kur moda e përgatitjeve jashtë vendit u përhap në masë, Tirana ishte skuadra e vetme që ndryshoi kurs. Pas grumbullimeve në Antalia të Turqisë, drejtuesit e klubit vendosën që kësaj radhe të qëndronin në Shqipëri, duke zgjedhur Pukën. Edhe pse fillimisht ky vendim nuk u prit mirë nga skuadra, tashmë lojtarët duken të kënaqur me kushtet në qytetin verior. Edhe Elbasani nuk është larguar, megjithatë kjo nuk ka ndodhur prej gjetjes së një zone të përshtatshme brenda vendit, por prej problemeve financiare të klubit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›