E Diel, 1 Nëntor 2026

Rajmonda Bulku: PD, gare reale, nuk ka vend për kontestime

Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku, njëherazi ish-deputete, mbron procesin zgjedhor për kreun e ri të PD-së duke e cilësuar atë tërësisht real dhe transparent. Nga kjo pikëpamje, Bulku thotë për “Gazeta Shqiptare” se në këtë rast nuk ka vend për kontestime pasi i gjithë procesi ishte korrekt. Por ajo nuk komentoi deklaratat e nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi, duke thënë se nuk i ka dëgjuar pasi ndodhej jashtë Tiranës. “Gara për kreun e Partisë Demokratike u duk qartë se ishte reale. 

Procesi m’u duk tërësisht transparent dhe nuk ka vend për kontestime. I gjithë procesi ishte korrekt. Ishte një garë e drejtë dhe reale. Përsa u përket deklaratave të nënkryetarit Patozi, nuk mund t’i komentoj ato pasi nuk kam qenë në Tiranë dhe nuk i kam ndjekur, se kam dëgjuar çfarë ka thënë”, - deklaroi znj.Bulku. 

Të njëjtin qëndrim shprehu një ditë më parë për “GSH” edhe deputeti dhe anëtari i kryesisë së PD-së Edi Paloka, madje ai shkoi edhe më tej duke thënë se z.Patozi po njollos procesin e garës së PD-së për shkak të arsyeve subjektive. Nisur nga kjo, ai i kërkoi Patozit që do të bënte më mirë që të sulmonte kundërshtarin politik Edi Ramën sesa vet Partinë Demokratike. Paloka e konsideron garën për kreun e PD-së tërësisht transparente, të zhvilluar mbi bazën e rregullave të qarta demokratike të cilat u pranuan nga të gjithë. Ai akuzoi se po tentohet të njolloset ky proces ndërsa kujton se rregullat u pranuan nga të gjithë. “Procesi zgjedhor ishte transparent dhe mbi bazë rregullash qartësisht demokratike, rregulla këto që u pranuan nga të gjithë. Ta njollosësh këtë proces nuk është aspak në favor të PD-së dhe as atyre që presin një ringritje të PD-së”, - deklaroi Paloka. 

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›