E Diel, 1 Nëntor 2026

Rajmonda Bulku: Të njollosësh këtë proces nuk është aspak në favor të PD-së dhe as atyre që presin një ringritje të PD-së

29-07-2013 / Gazeta 55

Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku, njëherazi ish-deputete, mbron procesin zgjedhor për kreun e ri të PD-së duke e cilësuar atë tërësisht real dhe transparent. Bulku thotë se në këtë rast nuk ka vend për kontestime pasi i gjithë procesi ishte korrekt. Por ajo nuk komentoi deklaratat e nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi, duke thënë se nuk i ka dëgjuar pasi ndodhej jashtë Tiranës. “Gara për kreun e Partisë Demokratike u duk qartë se ishte reale. Procesi m’u duk tërësisht transparent dhe nuk ka vend për kontestime. I gjithë procesi ishte korrekt. Ishte një garë e drejtë dhe reale. Përsa u përket deklaratave të nënkryetarit Patozi, nuk mund t’i komentoj ato pasi nuk kam qenë në Tiranë dhe nuk i kam ndjekur, se kam dëgjuar çfarë ka thënë”, - deklaroi znj.Bulku.
Pak ditë më parë, edhe deputetët Enkelejd Alibeaj e Edi Paloka kritikuan qëndrimin e shprehur nga ish nënkryetari i PD, Astrit Patozi për garë të diktuar në PD. Për z.Alibeaj askush nuk mund të hedhë hije dyshimi mbi mënyrën e zgjedhjes së Lulzim Bashës në krye të PD-së. “Askush nuk mund të hedhë hije dyshimi për mënyrën demokratike  se si u mbajtën zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike” u shpreh Alibeaj. Ai shprehet se demokratët vlerësuan jo vetëm kandidatët, por votuan mes atyre që ishin pjesë përbërëse e administratës politike dhe partiake të PD-së dhe që ishin pjesë e përgjegjësisë për humbjen më 23 qershor, si dhe atyre që nuk ishin pjesë e përgjegjësisë dhe që u prezantuan si opsion për ringritjen e demokratëve. Të njëjtin mendim ndanë edhe Edi Paloka.

Sherefedin Shehu: Reagimi i Patozit i nxituar, Basha u zgjodh nga një proces i rregullt 

Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, shprehet se zgjedhjet në këtë parti, ishin plotësisht të rregullta. Ai thotë se reagimi i Astrit Patozit është i nxituar, pasi zgjedhja e Bashës u bë përmes një procesi të rregullt. “Unë nuk mund të komentoj zotin Patozi, pasi ai ka mendimin e tij. Reagimin e tij e shoh pak të nxituar, sepse Partia Demokratike është në një moment që duhet të gjejë pikat e përbashkëta, dhe jo pikat e ndarjes. Në këtë mënyrë, reagimin e Patozit unë e shoh lidhur me pritshmërinë që ka pasur ai. Kur thuhet që ka gabuar Berisha, ne nuk duhet ta ndajmë veten. Aq më tepër zoti Patozi. Në qoftë se ka gabuar Berisha, ka gabuar i gjithë ekipi i Partisë Demokratike, sepse zoti Patozi ka qenë më afër Berishës”- u shpreh Shehu.
Ai thotë më tej se rivali i Lulzim Bashës duhet të fliste më herët për problemet që kishte vërejtur gjatë procesit, dhe jo një ditë pas zgjedhjeve. “Nuk besoj se fituesi ka qenë i paracaktuar. Besoj që reagimi më shumë është i lidhur me rezultatin që nuk pritej. Personalisht Olldashi nuk e ka pritur këtë rezultat, dhe kjo ka bërë që ai ta konsiderojë të paracaktuar rezultatin. Megjithatë, kjo nuk thuhej në fund, por duhej thënë në fillim të garës”. Sherefedin Shehu thekson gjithashtu se demokratët do jenë të bashkuar dhe se do ushtrojnë një opozitë të fortë përballë mazhorancës së re. “Nuk besoj, përveçse mund të ketë ndonjë moment reflektimi që krijon këtë perceptim. Nuk besoj që demokratët do të dalin të përçarë. Përkundrazi, unë mendoj se demokratët do të reflektojnë, do të bashkohen dhe do të ribashkohen, duke nënkuptuar që ato edhe ata që nuk janë në Partinë Demokratike dhe që përfaqësojnë opozitën, do ta shikojnë veten më mirë te PD-ja”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›