Tritan Shehu: “Gara ishte reale - të gjitha energjitë e PD në funksion të “luftës politike” me të majtën”
Intervistë me ish-kryetarin e PD
Në një intervistë për gazetën “55”, ish-kryetari i PD dhe deputet i saj, Tritan Shehu flet për garën brenda Partisë demokratike dhe për opozitën konkrete dhe strategjike që duhet të bëjë kryetari i ri Lulzim Basha. Sipas tij, të gjitha energjitë e PD duhet të fokusohen tek “lufta politike” me Partinë Socialiste dhe premtimet e saj me koncepte marksiste
Zgjedhja e Lulzim Bashës si kryetar i PD nuk u pasua nga një përshëndetje e rivalit të tij. Zoti Shehu ju keni votuar dhe mund të thoni a ishte korrekte gara brenda Partisë Demokratike?
“E kam konsideruar zgjedhjen brenda Partisë Demokratike një risi për politikën shqiptare. Ajo ishte një garë reale, e zhvilluar me votimin parimor “një anëtar-një votë”, dhe padyshim një format shumë i përparuar që është një gjë e mirë jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe në politikën shqiptare. Dhe tashmë kemi një kryetar të zgjedhur, i cili ka filluar të kryejë të gjitha funksionet e tij. Puna jo është të mbështesim kryetarin në sfidat e ardhshme që ne kemi për zhvillimin e Partisë demokratike dhe është për opozitën e ardhshme”.
Zoti Shehu, ju keni qenë kryetar i Partisë Demokratike çfarë këshille do ti jepnit zotit Basha?
Mendoj se Partia Demokratike duhet të bëjë menjëherë një analizë të hollësishme, të shkaqeve të humbjes, të problemet kryesore që na quan ne në atë humbje. Tani është koha e një platforme konkrete organizative e strategjike të qartë të opozitës së Partisë Demokratike. Gjithmonë kjo duke u bazuar kjo në inovacion dhe duke pasur më themel pasurinë e paçmuar që PD ka grumbulluar që nga dhjetori i 90, që ditën kur ajo është krijuar. Pasuri idesh, vlerash, njerëzish, potencialesh, të cilët duhen bëjnë themelin e zhvillimeve të reja, mbi të cilën mund të ndërtohen sfidat e reja. Unë besoj dhe jam i bindur se zoti Lulzim Basha si kryetar i PD do të jetë në lartësinë e sfidave të reja të PD, duke pasur këto principe, të një kombinimi të asaj që është bërë, të atij thesari vlerash të grumbulluar. E rëndësishme që në rrugën e ardhshme të mobilizohet të gjitha potencialet njerëzore të PD. Në rrugën e ardhshme është e rëndësishme që ne të dimë krijojmë hapësira njeri-tjetrit për zhvillimet e mëtejshme. Kjo është esenciale. Duke qenë të gjithë bashkë, shumë shpjet, do të bëjmë që Shqipëria këtë atë ndryshim që PD të jetë në vendin që i takon”.
Partia Socialiste dhe LSI po bëjnë një program 300 ditore dhe reforma në shëndetësi nuk ka asnjë indicie të jetë e realizueshme. Çdo të thotë kjo?
Po, këtu dua të bëj një parantezë sepse ne duhet që të gjitha energjitë tona, të gjitha potencialet tona duhet të shpenzohen në “luftën politike” drejt kundërshtarit që bën këto premtime marksiste, për të nxjerrë këto gënjeshtra që i thanë elektoratit shqiptar gjatë fushatës së zgjedhjeve, nuk mund të realizoje sepse nuk bazohen në ekonominë e tregut të lirë. Një nga këto falsitete të mëdha ishte reforma në shëndetësi. E bazuar në ca koncepte populiste e bazuar në ca ide marksiste, jashtë ideve me të cilët po ecën ekonomia sot. PS-ja ka filluar ta harrojë këtë gjë. Ata kanë filluar ta ndjenë se kanë një patate të nxehtë në duart e tyre që duan ta hedhin në një qoshe. Por njerëzit nuk do t’i harrojnë këto gënjeshtra dhe është detyra jonë që qytetarët ti kuptojnë këto falsitete”.
Intervistoi: L. Lita