E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rakipi: Kodi i ri Penal, gjithëpërfshirës me në fokus mbrojtjen sociale

TIRANË, 4 shtator /ATSH/ Me një seancë shpjeguese të mbajtur sot në Tiranë, ka nisur cikli i dëgjesave publike për draftin e ri të Kodit Penal, nën drejtimin e prof. Arben Rakipit, kreu i Shkollës së Magjistraturës dhe grupit të ekspertëve të ngarkuar me hartimin e tij.

Gjatë takimit, prof. Rakipi, i cili mban dhe pozicionin e kreut të grupit të ekspertëve, theksoi rëndësinë e konsultimit publik dhe sqaroi objektivat kryesore të këtij procesi.

“Në këtë takim synojmë të rendisim çështjet kryesore të përfshira në draftin e ri, të shpjegojmë arsyetimin sipas dispozitave të reja dhe të marrim mendimet e publikut për të përmirësuar më tej dokumentin”, tha ai.

Sipas tij, ky dokument është fryt i një pune disavjeçare të thelluar të ekspertëve të fushës dhe mbështetet jo vetëm në përvojën shqiptare, por edhe në praktikat më të mira ndërkombëtare, përfshirë akte ndërkombëtare me fuqi detyruese në fushën e të drejtës penale dhe të të drejtave të njeriut.

Ai tha se, drafti i Kodit të ri Penal ka në fokus më të madh mbrojtjen sociale dhe viktimat jo vetëm të ndëshkimin; depenalizim i disa veprave penale, si p.sh. pirja e alkoolit në publik, bigamia apo prostitucioni, që do të jenë pjesë e debatit publik; shtimi i alternativave ndaj dënimit me burg dhe theks te masa ndihmëse për rehabilitimin; rritje e koherencës mes dënimeve dhe praktikës gjyqësore, bazuar në krahasime me legjislacionin penal të vendeve europiane.

Profesor Rakipi tha se një nga pyetjet kyçe që ngrihen në këtë proces është: “A është ky projektkod penal represiv?”.

Ai shtoi se natyra represive e shtetit ekziston në vetë konceptin e të drejtës penale, por qëllimi është të balancohet me mbrojtjen sociale dhe parandalimin.

“Një analizë krahasimore është bërë me kodet penale të vendeve të BE-së: Për shembull, për veprën penale të vrasjes me dashje, projektkodi propozon dënim nga 15 deri në 20 vjet burg, ndërsa kodi aktual parashikon 10 deri në 20 vjet; në Itali dënimi është minimum 21 vjet, në Francë jo më pak se 30 vjet”, shpegoi Rakipi.

Ai tha se, “depenalizimi i veprave është një çështje mjaft e rëndësishme dhe kërkon një opinion të gjerë. Depenalizimi i veprave, që janë hedhur për të provokuar një debat të gjerë dhe për fat të keq nuk janë pikasur cilat janë ato. Depenalizimi i veprave nuk është proces thjesht politik që mund të shtyhet dhe vendoset në një krah apo tjetër. Qëndrimi politik është vota e parlamentit dhe nuk ka dyshim për këtë. Elementët ligjorë që përfshihen në këtë proces të mos neglizhohen, siç është frekuenca e ndodhjes së kësaj vepre, si rastet praktike apo niveli i kriminalitetit në përgjithësi. Konsultimi publik na lejon të kuptojmë nëse do të shkojmë te depenalizimi apo jo”.

Sipas Rakipit, nëse kriminaliteti është një pozicionim që krijon ndikim, influencë në drejtësi, atëherë çështja që lidhet me depenalizimin duhet parë me një sy objektiv dhe të kujdesshëm.

“Ne, si grup pune, kemi menduar që përveç atyre provokimeve që thashë, kemi menduar që në shumicën tonë dërrmuese apo unanime, këto vepra të penalizohen. Por diskutimi publik mund të jetë një test që të verifikohet nëse ky penalizim është i drejtë apo jo. Nuk bëhet fjalë për populizëm, sondazhe të rreme e dëshira, por për një sondazh real që na lejon të kuptojmë: a ia vlen të penalizohet, për shembull, bigamia, pirja e alkoolit në publik etj., që janë çështje të thjeshta në pikëpamjen ligjore, por në pikëpamjen sociale janë shumë të rëndësishme. Ka edhe çështje të tilla që kërkojmë të depenalizojmë siç është eutanazia, që nuk është prekur në publik, apo prostitucioni, edhe për këtë çështje nuk është folur fare. Diskutimi publik është mjaft i rëndësishëm, sepse na jep një përgjigje të arsyeshme dhe të besueshme dhe gati në nivel shkencor, lidhur me faktin nëse këto vepra duhet penalizuar apo jo”, tha Rakipi.

Projektkodi përmban 100 dispozita që i japin gjyqtarit mundësi për masa ndihmëse dhe jo domosdoshmërisht dënim penal apo gjobë, duke promovuar alternativa si këshillimi, punët në dobi të komunitetit dhe ndihma psikologjike.

Rakipi tha se dëgjesa publike është një hap kyç për një kod gjithëpërfshirës.

Ai theksoi se, procesi është ende në zhvillim dhe çdo kontribut nga publiku, shoqëria civile, juristët dhe qytetarët është i mirëpritur.

“Dëgjesat publike janë vendimtare për të kuptuar se cilat vepra duhen penalizuar dhe cilat jo. Ne kërkojmë opinionin e gjerë të shoqërisë për të ndërtuar një kod penal që pasqyron realitetin social dhe juridik të vendit”, theksoi Rakipi.

Seancat e ardhshme do të mbahen në disa qytete të vendit, me pjesëmarrjen e profesionistëve të drejtësisë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe qytetarëve të interesuar.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›