E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Do ta ndalojmë muzikën në beach bare

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e vuri theksin sot në takimin në aktivitetin “Shqipëria Turistike 2030” tek muzika në baret e plazheve.

“Një tjetër element që duhet parë përfundimisht është zhurma, muzika, tallavaja e beach bareve të vendosura, jo për të shërbyer, por për të stresuar gjithë dynjanë. Zona të tëra të banuara, ku 99% e pushuesve nuk janë prezentë në ato beach bare, 99.99 duhet të vuajë ngritjen e muzikës në kupë të qiellit”, theksoi Rama.

Ne, tha Rama, do ta ndalojmë muzikën, nuk do të ketë më muzikë në beach bare dhe madje do të bëjmë një ridimensionim edhe me kërkesë të kryetarëve të bashkive të numrit të  beach bareve dhe me mënyrën si ato do të lidhen me shërbimin në tërësi.

“Edhe kjo duhet parë, muzika duhet ndaluar plotësisht jashtë orëve të plazhit dhe në orët e plazhit duhet të jetë për ata shkojnë në beach bar dhe jo për ata që kalojnë tek bajpasi i Fierit. Janë gjëra të thjeshta dhe sot janë të mundshme të bëhen dhe të mbarojnë të gjithë këto makthe e kush do të bëjë muzikë dhe kush do të dëgjojë muzikë me zë të lartë deri në 5 të mëngjesit duhet ta ofrojë dhe marrë në territore në zona ku nuk është i gjithë qyteti dhe e gjithë bashkia që duhet të dëgjojë jehonën”, tha Rama.

Kryeministri Rama solli shembullin e disa turistëve japonezë që u larguan nga Dhërmiu për shkak të muzikës në plazhe.

“Në Dhërmi erdhën për herë të parë besoj sipas statistikave edhe një grup turistësh japonezë, të cilët u larguan të nesërmen, pasi kishin prenotuar 10 ditë u larguan të nesërmen të terrorizuar nga muzika. Ikën morën malet e Shqipërisë dhe u qetësuan në Theth”, tha Rama.

/k.s//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›