Programi i strehimit social, bashkia Rrogozhinë hap aplikimet

TIRANË, 4 shtator /ATSH/ Bashkia e Rrogozhinës ka shpallur hapjen e aplikimeve për qytetarët që dëshirojnë të përfitojnë nga programi i strehimit social “Përmirësim i kushteve të banesave ekzistuese”, me qëllim mbështetjen e familjeve në nevojë për përmirësimin e kushteve të jetesës.
Bashkia njofton se aplikimi kalon në dy faza:
Faza e parë:
Aplikimi kryhet online përmes portalit qeveritar “e-Albania”, duke zgjedhur shërbimin:
“Kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social”.
Afati për aplikim: 1 shtator – 30 shtator 2025.
Faza e dytë:
Vetëm aplikantët që kalojnë me sukses fazën e parë, duhet të dorëzojnë pranë zyrave të bashkisë Rrogozhinë formularin e shkarkuar nga portali, të shoqëruar me dokumentacionin përkatës.
Afati për dorëzimin fizik: 1 tetor – 31 tetor 2025.
Sipas njoftimit të bashkisë, të gjitha dokumentet duhet të jenë të lëshuara nga institucionet përkatëse jo më herët se 3 muaj nga data e dorëzimit.
Çdo individ ose familje që paraçon të dhëna të pavërteta ose në kundërshtim me ligjin për strehimin social humb të drejtën për të përfituar nga ky program.
Programi është një mundësi konkrete për të ndihmuar familjet që jetojnë në kushte të vështira, duke i mbështetur në përmirësimin e banesave të tyre ekzistuese.

/a.f//r.e/