Rama Mcllwham: Hetim për 21 janarin
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi ditën e sotme një takim me Ambasadoren e Britanisë së Madhe, Fiona Mcllwham, me të cilën diskutoi rreth situatës politike në vend, me theks të veçantë dhe ngjarjen e 21 janarit.
Kryesocialisti Rama ndau me ambasadoren britanike shqetësimin mbi situatën aktuale.
Ai e informoi për përpjekjet dhe sfidat me të cilat ndeshet PS-ja për realizimin në kohë dhe me cilësi të reformës zgjedhore, parlamentare dhe të sistemit të drejtësisë në përgjithësi.
Të dy palët ndanë të njëjtën qëndrim lidhur me rëndësinë e funksionimit të sistemit të drejtësisë në një shtet ligjor dhe domosdoshmërinë e hetimit të paanshëm të ngjarjes tragjike të 21 janarit, ku humbën jetën 4 demostrues.
Marrja e statusit të vendit kandidat, ishte një tjetër çështje në të cilën Rama përsëriti angazhimin e opozitës për kryerjen e reformave të duhura për në BE, si dhe kontributin e bashkësisë ndërkombëtare në këtë proces.