Rama: 1 vjetori në NATO e gjen vendin në protestë

1-vjetori i Shqipërisë në NATO e gjen Shqipërinë në protestë pasi liria e demokracia po kërcënohen. Në takimin me gazetarët, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se sot 1 vit pas hyrjes në NATO populli opozitar është në protestë. "1 vit pas NATO-s populli opozitar proteston pasi liria, drejtësia, demokracia dhe ekonomia janë në kërcënim të përditshëm", u shpreh Rama.
Sipas Ramës 1-vjetori i NATO-s e gjen vendin në një bilanc negativ edhe sa i përket ekonomisë. "Sot qindra vende pune po digjen. Ekonomia do përfshijë në kolaps gjithë shoqërinë. Shifrat e papunësisë janë rrënqethëse", theksoi ai.
Duke iu referuar edhe një herë protestave, kreu i PS-së theksoi se protestat janë në rendin e ditës. "Protestat janë instrumenti në duart e popullit për të ndalur një të tatëpjetë që mund të bëhet e pandalshme pasi ekonomisë i janë hequr elementët e sigursië që i garantojnë asaj stabilitet. Ne jetojmë në një ekonomi dhe demokraci të rrezikuar", shtoi ai.