Rama: 140 nëpunës të administratës janë përfshirë në programin e AI për rritjen e kapaciteteve vendimmarrëse

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se administrata publike ka nisur një fazë të re të rritjes së kapaciteteve teknologjike, duke përfshirë 140 nëpunës të lartë të ministrive në një program të inteligjencës artificiale (IA), i cili synon të përmirësojë cilësinë e vendimmarrjes dhe administrimin e proceseve institucionale.
Gjatë takimit “Formëso të ardhmen europiane të Shqipërisë”, me pjesëmarrjen e profesionistëve të administratës publike të angazhuar në reformat për Shqipërinë Europiane 2030, Rama tha se ky është grupi i parë i një procesi që do të shtrihet edhe në institucione të tjera.
“Sapo kemi nisur një fazë të re, ku janë aktualisht 140 nëpunës të lartë të administratës në ministritë tona, të cilët kanë hyrë në një program të IA dhe që do të shërbejnë si grupi i parë i një procesi që do të shtrihet në institucionet e tjera për të rritur kapacitetet e vendimmarrjes dhe cilësinë e gjykimit në marrjen e një vendimi, si dhe për të krijuar një dije administrative çdo ditë e më të gjerë për administrimin e proceseve të brendshme dhe rritjen domethënëse të ndërveprimit mes institucioneve”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se ndikimi i këtij programi pritet të jetë i shpejtë, duke përmirësuar cilësinë e akteve dhe vlerësimeve të administratës.
“Impakti i këtij programi të ri do të jetë relativisht i shpejtë dhe cilësia e akteve dhe vlerësimeve do të rritet ndjeshëm, duke na dhënë mundësinë të kemi një monitorim shumë të besueshëm të çdo procesi të brendshëm të administratës. Këto do të na ndihmojnë në përmbylljen e negociatave dhe gjithashtu në përmirësimin e marrëdhënies së qytetarëve me administratën”, deklaroi Rama.
/e.xh/a.f/