Përpara Mauzoleut të Familjes Mbretërore
- Kujtime, emocione dhe refleksione -
1. Vitet 1938-1939. Fëmijë 3-4-vjeçar asohere, i gëzohesha Himnit të Mbretërisë ose të Mbretit (nuk jam i sigurt si ka qenë emërtuar), me të cilin hapeshin programet e mëngjesit të Radio Tiranës. Në familje, kishim një radio Philips, tepër të sofistikuar për kohën. Përveç ndërrimit të stacioneve me mënyrën klasike, radioja jonë kishte edhe disa butona, m’u përfund ekranit që shtrihej së gjeri. Ishin gjashtë ose tetë, nuk e mbaj mend mirë. Mbaj mend se u thoshim susta dhe se shërbenin për të regjistruar paraprakisht aq radiostacione, se ishin butonat-susta. Vala përkatëse sinkronizohej në mënyrë automatike me radiostacionin e regjistruar, pa qenë nevoja ta kërkoje me anë të rrotullames së zakonshme. Im gjysh, Mehmet Babani, noter i Korçës, pushkatuar nga regjimi komunist në shkurt të ‘48-s, kishte regjistruar stacionet e veta, në gjuhën turke ose greke. Xhaxhallarët e mi, Suati, Nysreti, Hajreti dhe Sedati (dëshmor i Luftës, ky i fundit) në gjuhën frënge dhe italiane. Babai, Dr. Fiqreti, ndodhej ende në Francë, për studime. Njëri nga butonat, s’do mend, ishte i Radio Tiranës. Atë e konsideroja timin, sepse ashtu i thoshin të gjithë në familje: susta e Edenit. Disa minuta përpara se të hapej programi, unë gjendesha medoemos pranë radios. Butonin tim, e shtypja para kohe dhe prisja me të rrahura të shpeshta të zemrës. Ndërsa dëgjohej një zhurmë e lehtë karakteristike, çka donte me thënë se aparaturat e radiostacionit ishin ndezur, mezi duroja të dëgjoja Himnin e Mbretërisë, me pëllëmbën e dorës së djathtë kthyer përmbys, m’u pranë zemrës, siç nderohej asohere. Fjalët e Himnit i kisha mësuar përmendsh: Si rrufe që lëshohet nga qielli / edhe zjarr, edhe flakë ndriçon / porsi yll që shkëputet nga dielli / ashtu leu Zogu i Parë për ne...
Refreni më pëlqente më tepër. S’më mbante gëzimi, kur e ndiqja me zë të lartë: Rroftë Zogu i Parë, rroftë / shpëtimtari i Mëmëdheut / brez pas brezi mbretëroftë / nip-stërnipi i Skënderbeut.
Pranverën e 1939-s, në familjen tonë ndihej një shqetësim, të cilin e përjetoja edhe unë si fëmijë, sado që nuk e kuptoja shkakun, aq më pak, të dija ta shpjegoja. Një pasdite të prillit, mbi qiellin e Korçës, fluturuan aeroplanë. Burra e gra të familjes, ndodheshin në oborr atë pasdite të bukur, të butë e plot dritë. Me ta, edhe unë duke luajtur, s’di me çka. Gjithë sa ishin në oborr ngritën kryet lart, duke vënë mbi sy pëllëmbën e dorës si strehë, për t’u mbrojtur nga ndriçimi i qiellit të kaltër. Siç bënë ata, bëra edhe unë. Ata u vrenjtën në çehre papritur e pakujtuar, ndryshe nga moti i bukur pa një re. Pa ditur pse, edhe unë, me ta. Ende sot e kësaj dite, pas shtatëdhjetedy-shtatëdhjetetre vjetësh, më duket sikur avionët e zinj, fluturonin jo mbi Korçë, po mbi oborrin e shtëpisë sonë, mbi kokat tona. Mbrëmja kaloi e heshtur, paksa e frikshme për mua, pa e shpjeguar dot psenë. Ndonjë pëshpëritje vesh më vesh, për të mos i prishur qetësinë gjyshit, i cili nuk iu nda radios gjithë mbrëmjen, nuk më ngrohu, as më qetësoi.
Të nesërmen, si çdo mëngjes, u ndodha përpara radios, duke pritur me padurim Himnin, ndërsa të mëdhenjtë m’i kishin ngulur sytë dhe seç jepnin e merrnin me ca shenja të pakuptueshme për mua. Nuk mbaj mend si filluan programet e asaj dite, por Himnin, Radio Tirana nuk e dha. Lot të nxehtë më shpërthyen, pa ditur as vetë pse. Ndoshta sepse, i stepur siç kisha mbetur tek prisja çeljen e përditshme të programeve, u preka si fëmijë, ndaj edhe ia plasa të qarit. Ndoshta, m’i nxitën shenjat e pakuptueshme të më të mëdhenjve. Ndoshta sepse nëna ime, Myneveri, më përfshiu në krahë, dhe filloi të më puthte me dhembshuri, kurse ajo përkëdhelje, në vend që të lë qetësonte, ma nxiste më tepër të qarët. Gjithsesi, ata lot nuk i kam harruar kurrë. Sidomos, kur u ndërgjegjësova për gjithçka kishte ndodhur pas asaj dite të zezë. Sot e kësaj dite, më duket sikur lotët i kam ende në sy.
Përpara Mauzoleut, lotët e saj dite të largët më kujtuan fëmijërinë e largët, duke më sjellë emocione të jashtëzakonshme dhe duke më mbushur me gëzim. Më kujtuan edhe vargjet, edhe melodinë e Himnit. Zogu i Parë m’i riktheu e m’i fali ato në vendlindje, ndonëse kam pasur rastin disa herë të jem i pranishëm në ditë përkujtimoresh, tek ish-varri i tij, në varrezat e Parisit.
2. Të shtënat e topave për nder të Zogut të Parë, ndërsa trupi i tij vendosej në Mauzoleun e Familjes Mbretërore, më morën me vete dhe më zhvendosën larg në kohë, aty nga fundi i viteve të Luftës. Mbase kështu do të kenë buçitur edhe minat që e hodhën në erë Varrin e Nënës Mbretëreshë, plot 68 vjet përpara, më 17 nëntor 1944, kur furia e egër e maleve, ushqyer me propagandën e shfrenuar të stepave ruse, e ktheu përmbys jetën e shqiptarëve. Që prej asaj dite, që thërritet “Çlirimi i Tiranës”, çfarë nuk u tha për burrin, i cili hodhi më së pari themelet e shtetit shqiptar, krahas shteteve të tjera. Sa baltë u hodh mbi figurën e tij dhe mbi fisnikërinë tonë, sa gjak i pafajshëm shqiptari u derdh qysh atëherë, sa vite burgjesh e internimesh përjetoi ky popull, nuk ka libër t’i përmbledhë më një. Vrasjet pa gjyq dhe atentatet e stilit komunist, pa kursyer edhe “shokët”, nuk ishin veçse parathënia e asaj çka do të zinte fill në Hotel Bristol ose në rrugët e rrugicat e Tiranës, bash në fillim të nëntorit 1944, ndërsa luftohej dhëmb për dhëmb me pushtuesit, për t’u sjellë kryeqytetasve lirinë aq shumë të pritur.
Sot, ndërsa sytë e shqiptarëve, kudo që jetojnë, në trojet etnike a në diasporë, janë drejtuar te Pallati Mbretëror, ku i bëhen homazhe Zogut të Parë, pasardhësit e regjimit komunist kanë paturpësinë të organizojnë një miting të tipit “kundra-pedal”, duke bojkotuar këtë ceremoni me përmasa kombëtare. Të përkujtosh ditën që dha sinjalin më kuptimplotë të gjakderdhjes, duke iu kundërvënë një dite që mban një nga simbolikat më të kuptimshme të bashkimit kombëtar, do të thotë të jesh antikombëtar. Personalisht, kam mendimin që duhej përkujtuar edhe 17 Nëntori, sepse s’mund të mohohet që në Luftën e Tiranës ranë atdhetarë të cilët, në njërin a në tjetrin formacion politik, nuk e kursyen jetën. Ama gjithçka kërkon të gjejë vendin e vet. Edhe kohën e vet. 17 nëntori 2012 ka plot 24 orë, si gjithë ditët që kanë ardhur e që do të vinë në këtë botë. Vetëpërjashtimi i ca liderëve socialistë nga ceremonia e Pallatit Mbretëror, për të mbajtur lidhur pas qeres së tyre një grusht fanatikësh militantë të pandreqshëm, ishte një sinjal tepër domethënës për çdo shqiptar, në këtë 100-vjetor të Pavarësisë. Aq më tepër, në prag të fushatës së pritshme elektorale të zgjedhjeve të 2013-s. Nuk do të më dukej aspak e çuditshme që ardhja në pushtet e bijve të atyre që u bënë gjëmën shqiptarëve, do të sillte një spirale të re dhune dhe hakmarrjeje, një tjetër hedhje në erë të historisë së shtetit shqiptar.
Me ç’ sy e faqe, një lider socialist, cilido qoftë ai, do të t’i jepte dorën Presidentes së Kosovës, kur ajo e quajti ceremoninë e rivarrimit të Mbretit të parë dhe të vetëm të shqiptarëve një simbolikë kuptimplotë të unitetit kombëtar e ata vetë munguan? Po në Preshevë, do të kishte guxim ndonjëri syresh të shkonte, kur preshevarët kishin ardhur në Tiranë sërë-sërë, me atë rast të papërsëritshëm? Po në Mat, në Dibër, në Kukës e gjetkë, ku ka qenë shtrirë fuqishëm ndikimi i familjes Zogu, të cilën nuk e zhbëri dot diktatura komuniste për dekada të tëra, do të kenë guxim përçarësit e kombit të kërkojnë vota, kur matjanë e dibranë, kuksianë e mirditas, ishin shkulur në Kryeqytet t’i bënin homazhe Zogut të Parë? Apo do të shpresojnë te ndonjë renegat sahanlëpirës që i hëngri bukën dikur Leka Zogut në Johanesburg dhe sot po i përmbys kupën, duke u bërë një me bijtë e persekutorëve të tij.