E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afrika e Jugut, tani e skllavëruar prej futbollit

16 vjet pas përmbysjes së regjimit të Aparteidit, Afrika e Jugut po feston rikthimin në arenën ndërkombëtare, ndërsa çeli dje Kampionatin Botëror të Futbollit në cilësinë e “zotit të shtëpisë”. Edhe pse vendi është ende i ndarë dhe i dhunshëm, shtimi dhe forcimi i shtresës së mesme të zezakëve është një shpresë e madhe për të ardhmen

Afrika e Jugut i sjell shumëkujt në mend, veçanërisht atyre që e kanë vizituar, dhunën. Në të gjithë vendin, çdo ditë kryhen rreth 50 vrasje, që nëse do t’i shumëzonim me ditët e një viti, do të përftonim shifrën 18,000 vrasje në vit. çdo minutë përdhunohet nga një grua dhe grabitjet janë edhe më të shpeshta, madje në çdo sekondë ndodh një e tillë. Sigurisht për vendet kur tashmë është vendosur rendi dhe ekziston mirëqenia, këto shifra tingëllojnë të jashtëzakonshme. Por Afrika e Jugut nuk e krahason veten asnjëherë as me Europën dhe as me Amerikën. Në fund të fundit, ka aq shumë telashe sa i dalin dhe i teprojnë për të zënë me to të gjithë kohën dhe energjitë. Ky vend, që nga viti 1994, kur u rrëzua regjimi i Aparteidit, po lufton shumë për të ndryshuar imazhin dhe për të pasur një të ardhme sa më normale dhe të denjë. Në këndvështrimin historik, 16 vjet janë një pulitje sysh, por sot me çeljen e kampionatit botëror për vendin dhe gjithë Afrikën Subsahariane, do të realizohet një ëndërr. Për Afrikën, ky event madhështor është një provë përkundrejt vetes dhe mbarë botës dhe një mundësi për të demonstruar se çfarë është në gjendje që të bëjë një vend dikur “I mallkuar”. Por sigurisht që kjo nuk ka qenë dhe nuk do të jetë një ndërmarrje e lehtë.
16 vjet pas zgjedhjes së Nelson Mandelës si Presidenti i parë i zi i vendit, Afrika e Jugut vazhdon të mbetet në thelb një eksperiment i madh social, përfundimi i të cilit mbetet i paqartë. Dasitë e vjetra janë ende pjesë e bashkëjetesës mes të bardhëve dhe të zinjve dhe racave mike të njohura “të ngjyrosurit” dhe për sa i përket pasurisë ajo vazhdon që të ndahet në mënyrë të pabarabartë. Nuk ka mjaftueshëm shkolla dhe gjykatës, punët janë të pakta dhe afatshkurtra dhe në shumë zona të vendit nuk ka as elektricitet dhe ujë të pijshëm. Por Afrika e Jugut dhe shumica dërmuese e popullatës së saj ka nisur gjithsesi një jetë të re. Një pjesë e madhe e nisën nga hiçi, nga skllavëria, skamja e varfëria, nga mungesat e mëdha që për shekuj me radhë i ndanë nga bota.

Një tokë e trazuar

Afrika e Jugut është një vend në të cilin 6 nga 46 milionë banorët e të cilit janë të infektuar me virusin e AIDS-it. është një komb që edhe 16 vjet pas fundit të një regjimi terrori, ende gjeneron makthe të frikshme, një vend që do të humbasë ndoshta së shpejti liderin e tij legjendar, Nelson Mandela, një vend shoqëria e të cilit duhet që t’i bëjë pyetje vetes nëse ia vlen ende që të qeveriset nga Kongresi Kombëtar Afrikan, që ishte edhe lëvizja çlirimtare kundër Aparteidit. Afrika e Jugut është ende një tokë trazirash me probleme nga më të ndryshmet.

Njëherazi është e rëndësishme që të nënvizohet fakti se pavarësisht dramave, miliona njerëz sot jetojnë në kushte shumë më të mira se 20 vjet të shkuara, se shumë të zinj janë shkolluar dhe kanë pozicione të rëndësishme në drejtimin e vendit dhe shumë të tjerë i kanë shpëtuar varfërisë ekstreme dhe janë drejt arritjes së krijimit të kushteve normale të jetesës. I rëndësishëm është edhe fakti që dhuna nuk është më e institucionalizuar në ligje dhe gjëja e mrekullueshme është se masa e madhe e zezakëve, me fitimin e lirisë, nuk përfitoi nga rasti që të hakmerrej ndaj të bardhëve për të gjitha vuajtjet që i shkaktuan për një kohë kaq të gjatë. Në të kundërt të kësaj ata ndoqën rrugën e treguar nga liderët e tyre, që ishte pajtimi dhe bashkëjetesa.

Një nga problemet më të mëdha për vite me radhë ka qenë policia e korruptuar, e cila ishte bërë pjesë e bandave kriminale. Prej kohësh kanë filluar operacionet e spastrimit të këtyre elementeve, nga forcat e policisë dhe burgjet janë mbushur sot me policë të korruptuar. Ky është tregues i një ere të re, i një ndryshimi të madh, sepse pa forcat e rendit është shumë e vështirë që të vendoset qetësia dhe rendi. E ndërsa gjërat ndryshojnë, edhe fati i njeriut ndryshon. Mundësitë e reja dhe ndryshimi i kanë dhënë hapësira të reja njerëzve të rinj që duan të punojnë dhe të krijojnë. Janë njerëz që përmes punës dhe këmbënguljes mund t’i lejojnë vetes që të bëjnë realitet ëndrrat e tyre, ato ëndrra që do të ishin të pamundura për prindërit e tyre. Bëhet falë për zezakë që sot kanë edhe vilat e tyre, bizneset që u japin mundësi që të bëjnë një jetë që dikur as që e çonin nëpër mend, që kanë makina dhe shpenzojnë para për sende luksi e pushime.

Historitë afrikane nuk kanë fund dhe më mirë se kushdo tjetër këtë e kuptojnë dhe e përjetojnë çdo ditë gazetat, në redaksitë e të cilave vijnë me shumicë lajme nga më të ndryshmet, nga i gjithë vendi dhe për fat të keq lajme të këqija. Gazeta më e madhe dhe më e fuqishme e përditshme me tirazh 5 milionë kopje është “Daily Sun”. Në një numër të zakonshëm të gazetës së përditshme mund të kuptosh gjithë kaosin dhe diversitetin e jetës shpesh tragjike të këtij vendi në ndryshim. Ja cilat janë lajmet e një numri ndër më të fundit: Mospagesa e pensioneve në një provincë lindore të vendit, për shkak se zyrtarët e qeverisë janë në një grevë të gjatë, ka paralizuar gjithë zyrat e shtetit; vazhdon telenovela e analizave për AIDS të Presidentit të vendit, Jakob Zuma, i cili mund të jetë i infektuar nga marrëdhëniet e shumta seksuale të pambrojtura; Lideri i ri i Kongresit Afrikan, Julius Malema, kritikohet se ka kënduar këngë që i thurnin lavdi disa të zinjve, që i kishin marrë jetën të bardhëve. Në Kejp Taun një bandë e armatosur i zuri pusi një autobusi dhe grabiti të gjithë pasagjerët. Sipas botuesit të gazetës që është i bardhë, por me familje që brez pas brezi ka jetuar në Afrikën e Jugut rrënjët e dhunës dhe të së keqes në Afrikën e Jugut dhe në të gjithë kontinentin janë të thella. Ato janë të ndërthurura me tragjedi të mëdha njerëzore, kombëtare, që kanë të bëjnë me keqtrajtimin që u bënë të bardhët, vendasve që në ditën e parë që vunë këmbët në kontinent. Vuajtjet e brezave të tërë të skllevërve, hidhërimi dhe padrejtësitë e mëdha të trashëguara janë në bazë të sjelljeve dhe trazirave në këtë vend. Për të, problemet e Europës krahasuar me ato të Afrikës, meritojnë me plot gojë që të quhen “qesharake”. Sigurisht që ai ka lexuar dhe dëgjuar për krizën financiare apo deficitin buxhetor, por më shumë është i interesuar në debatin e ndezur së fundi në kontinentin e vjetër, në lidhje me gabimin që mund të jetë bërë me caktimin e organizimit të Kampionatit Botëror Afrikës së Jugut. “Unë do t’u thosha atyre që nuk kanë besim te ne, se cila është domethënia e madhe e një eventi të tillë për miliona afrikanë, që më në fund ndihen në qendër të vëmendjes dhe në qendër të botës, edhe pse për vetëm një muaj. Megjithatë, ne nuk na bëhet shumë vonë se çfarë mendojnë disa. Ata që duan të vijnë janë të mirëpritur, të tjerët le të rrinë aty dhe ta shohin kampionatin nga televizori. Jam i bindur që ata që respektojnë rregullat, zonat dhe paralajmërimet nuk do të pësojnë asgjë”, thotë botuesi i gazetës. Ai është një nga optimistët e shumtë dhe njerëzit që patën besim të patundur që Afrika e Jugut do t’ia dilte që jo vetëm të mbaronte në afatin e duhur të gjitha përgatitjet për eventin e madh, por edhe të mblidhte nga sponsorët e Botërorit shifrën më të madhe të të hollave në të gjithë historinë e FIFA-s.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›