E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Administrata ka probleme me performancën, por shkëlqeu në negociatat me BE-në

TIRANË, 3 shtator /ATSH/ Kryeministri, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur sot përpara grupit parlamentar të PS dhe kabinetit qeveritar, u ndal edhe tek anketa e fundit e administratës publike.

Rama tha se një çështje e evidentuar nga anketa është mosndëshkimi i performancës negative, të cilin e cilësoi si një problem të rëndësishëm krahas pagave.

Kreu i Ekzekutivit vlerësoi administratën publike shqiptare, duke sjellë si shembull performancën e saj gjatë procesit të negociatave me Bashkimin Evropian.

“Fakti që jo 10, por 1000 punonjës të këtij shteti kanë shkëlqyer në përfaqësimin e Republikës së Shqipërisë në Bruksel, në procesin më sfidues për çdo shtet që do të hyjë në BE, që është diagnostikimi i të gjithë problematikës të të gjithë organizimit shtetëror të atij vendi”, tha ai.

“Kaq e vërtetë është kjo, saqë kur ne luftonim për të hapur negociatat, unë thosha: Po mirë, u hapën negociatat, po pastaj çfarë do të bëjmë? Aty do të turpërohemi, sepse do të përballet administrata jonë me administratën e atyre, që është administrata më neurotike e planetit. Ajo është makineri njerëzish që funksionon më mirë se një veturë”, vijoi Rama.

Kryeministri tha se “ka qenë perforamnca e asaj administrate një nga arsyet pse Franca, Danimarka dhe Holanda i kanë dhënë më shumë pikë Shqipërisë në pasqyrën e tyre të respektit”, theksoi ai.

Rama theksoi se në administratën publike ka punonjës që janë aty mbi bazën e meritës, por sipas tij, ka edhe raste kur emërimet nuk lidhen me kriteret profesionale.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›