E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: KLGJ e KLP dështim i reformës në drejtësi dhe nuk u mjaftojnë pagat, imagjinoni administratën

TIRANË, 3 shtator /ATSH/ Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke iu referuar anketimit të administratës publike, të zhvilluar për të pestin vit radhazi, tha se një nga gjetjet kryesore lidhet me perceptimin e punonjësve për pagat dhe vlerësimin e performancës.

Rama theksoi se ky është anketimi më i madh i zhvilluar deri tani me punonjësit e administratës publike, ndërsa nënvizoi se procesi zhvillohet në mënyrë konfidenciale, me formularët që nuk analizohen nga eprorët, por nga ekipi përgjegjës në Ministrinë e Shtetit për Administratën Publike.

Sipas tij, edhe pse numri i punonjësve që e konsiderojnë pagën të mjaftueshme është rritur, ata mbeten më pak se ata që e vlerësojnë pagën si të pamjaftueshme.

“Paga është e pamjaftueshme për të gjithë. Kur KLGJ dhe KLP nuk iu mjafton paga, imagjinoni administratën. KLP dhe KLGJ janë fytyra e dështimit të reformës në drejtësi. Nëse SPAK e Gjykata e Posaçme janë fytyra e suksesit dhe kur KLP e KLGJ janë të dështimit dhe e qeverisin gjyqësorin më pak, i kanë të pamjaftueshme pagat disa herë më të larta se ne këtu, imagjino si mund të thotë nëpunësi i administratës”, tha ai.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›