E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Adresuam problematikat në mësimin e gjuhës shqipe, vlerësim ekstra për mësuesit e arsimit special

TIRANË, 7 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje politikat arsimore për t’ju qëndruar pranë fëmijëve me nevoja të veçanta për të cilët kishte një boshllëk vërtetë dramatik në vite.

Gjatë ceremonisë së vlerësimit për mësuesit që kanë dhënë kontribut të vyer në arsimin shqiptar me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, Rama vlerësoi veçanërisht armatën e mësuesve të arsimit special.

“Meritojnë mirënjohje dhe respekt si të gjithë mësuesit e tjerë, por meritojnë edhe një vlerësim ekstra për shkallën e vështirësisë së punës së tyre të përditshme”, tha Rama.

Një tjetër aspekt i vlerësuar nga kryeministri Rama ishte edhe nxitja që i është dhënë mësimit të gjuhës shqipe.

“Kemi arritur të zgjojmë ndjeshëm organizmin deri dje të fjetur të gjithë gjymtyrës së arsimit që adreson çështjen e gjuhës shqipe. Kjo do të ishte totalisht e pamundur pa vullnetin dhe motivimin e mësuesve të gjuhës shqipe që kam shpresë dhe uroj që ta ndiejnë vlerësimin e shtuar nga ana jonë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe në një kohë si kjo e sotmja kur shkrimi i gjuhës kërcënohet nga teknologjia.

Po ashtu, sipas tij, një sfidë më vete është orientimi i karrierës dhe në këtë drejtim janë bërë hapa të rëndësishëm përpara.

“Ka ende një mal për të ngjitur, por sot është më e lehtë ta mendosh ngjitjen, pikërisht sepse është krijuar një shtesë solide e mësuesve të orientimit të karrierës”, tha Rama.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›