Kosovë- Diplomimi i 45 kadetëve, Kurti: Shërbimi Korrektues po fuqizohet

PRISHTINË, 7 mars/ATSH/ Gjenerata e 45-të e kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës u diplomua sot.
Në ceremoninë solemne të diplomimit, mori pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili tha Shërbimi Korrektues po fuqizohet dhe se 111 kadetët e rinj do të jenë garantues të drejtësisë dhe rregullit në institucionet korrektuese.
“Me diplomimin e gjeneratës së 45-të të zyrtarëve korrektues ne e forcojmë edhe më shumë sistemin korrektues dhe i shtojmë radhët me profesionistë të përgatitur. Ata dhe ato do të jenë garantues të drejtësisë dhe rregullit në institucionet tona korrektuese. Diplomimi i 111 kadetëve sot nuk është thjesht një ceremoni por një dëshmi e angazhimit tonë për një sistem korrektues të fuqishëm, sigurt dhe të drejt”, tha Kurti.
“Nga sot ju do të jeni pjesë e një mekanizmi kyç për shtetin e së drejtës. Një mekanizëm që kërkon disiplinë, profesionalizëm dhe përkushtim të plotë. Puna në sistemin korrektues nuk është e lehtë por e domosdoshme”, shtoi Kryeministri në detyrë i Kosovës.
Sipas tij, “përmes reformave të ndërmarra gjatë viteve të fundit, kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sigurisë, rehabilitimin e të dënuarve dhe përmirësimin e kushteve të punës për zyrtarët korrektues. Kemi investuar në infrastrukturë, kemi forcuar njësitë e specializuara dhe kemi zgjeruar programet rehabilituese për të burgosurit”, tha ai.
Ndërkaq, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se përmes reformave të ndërmarra Shërbimi Korrektues i Kosovës është bërë gjithnjë më i aftë dhe profesional.
Ajo tha se në këtë institucion në katër vitet e fundit, janë punësuar 100 gra, duke fuqizuar edhe rolin e gruas në Shërbimin Korrektues.
Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, tha se ky institucion është lider në rajon.
Në fund të ceremonisë, instruktorëve që kanë trajnuar kadetët e Shërbimit Korrektues iu ndan mirënjohje falënderimi. Që nga viti 2007 e deri në 2024, nga burgjet e Kosovës janë arratisur ose nuk janë kthyer pasi kanë shfrytëzuar të drejtën e kalimit të fundjavës jashtë burgut – 56 persona.
/KosovaPress/