Rama: Angazhim për njohjen e Kosovës. Bumçi: Bllokove integrimin
Tiranë- Partia Socialiste ka zhvilluar sot konferencën Shqipëria europiane në rajon dhe botë, ku ka prezantuar para ambasadorëve programin e saj për diplomacinë.
Kreu i saj Edi Rama ka lëshuar akuza në drejtim të kryeministrit Berisha duke thënë se nuk duhet të ushqehemi mbi fantazmën e nacionalizmit, ndërsa u shpreh se PS-ja do të angazhohet për njohjen si shtet të Kosovës nga 5 vendet që ende nuk e kanë njohur.
Ne dhe Kosova duam të integrohemi në Bashkimin Europian si anëtarë me të drejta të plota dhe qytetarët tanë të gëzojnë liri dhe të drejta të plota. Për të qenë partnerë seriozë nuk mund që të ushqejmë fantazmën e nacionalizmit dhe të vidhen zgjedhjet. Partneriteti me SHBA dhe BE është në funksion të një Shqipërie demokratike,- tha ai.
Sipas Ramës Shqipëria europiane nuk është një proces burokratik, por një projekt politik me rëndësi gjeo-strategjike dhe një gjenerator i një bashkëpunimi të frytshëm rajonal.
Pak minuta më pas reagoi në rrjetin social Facebook kryeministri Sali Berisha, i cili ka vlerësuar arritje e marrëveshjes Kosovë-Serbi, ndërsa ka thënë se integrimi i vendit vijon të mbetet peng i Partisë Socialiste.
Te dashur miq! Pershendetem me kenaqesi marreveshjen e dates 19 prill midis Kosoves dhe Serbise si nje marreveshje vertete historike. Kjo marreveshje, deshmon konsolidimin e Kosoves si shtet i pavarur. Me zbatimin e saj, marreveshja perben bazen e normalizimit te marredhenieve midis ketyre dy shteteve te pavarura dhe çel rrugen qe keto dy vende, por edhe serbet dhe shqiptaret ne teresi, te nisin nje epoke te re ne marredheniet midis tyre, ne interes te te ardhmes se tyre europiane. Marreveshja eshte nje kontribut madhor per paqen dhe stabilitetin ne rajon. Kosova me kete marreveshje arrin njohjen dhe pranimin e integritetit territorial te saj nga Serbia, por dhe vendosjen e bashkepunimit me kete vend si dhe garantimin e perspektives se integrimit ne BE. Serbia me kete marreveshje shkeputet nga nje trashegimi recente e pafavorshme dhe, siç do te deklaronte kryeministri i saj, ajo do te zgjidhte dhe do te percaktohej per BE-ne dhe te ardhmen e saj europiane. Edhe nje here urimet me te mira per te gjithe ata qe bene te mundur kete marreveshje historike ne interes te shqiptareve, serbeve dhe te te gjithe rajonit. Nuk mund te mos ju ftoj miq te dashur qe te mendoni per nje moment bllokimin nga z.Rama te statusit te vendit kandidat per Shqiperine duke mos votuar tre ligjet. Nuk na mbetet gje tjeter veçse te themi Zoti e ruajt Shqiperine nga shqiptare si ky. 23 qershori po vjen. Shqiptaret do te votojne per te shembur murin e bllokimit per te ardhmen e tyre europiane!- shprehet Berisha.
Në të njëjtën linjë ishte edhe ministri i Jashtëm Aldo Bumçi, i cili në një deklaratë për mediat u shpreh se Rama është i vetmi kryetar opozite që bllokon integrimin.
“Sot Edi Rama na shfaqi vizionin e tij për politikën e jashtme të vendit. Dhe sot, zoti Rama paraqiti të tjera shpikje nga selia mavi, sikur ai do të mbështesë anëtarësimin tonë në NATO dhe integrimin në BE. Z. Rama, i vlerësojmë fjalët e bukura, por më bukur flasin veprat. Por, zoti Rama, a e di ti, se ti je i vetmi kryetar opozite i një vendi tashmë anëtar të NATO-s, ku të ankoroi kjo qeveri, që pengon integrimin e vendit në BE? A di ti, se je i vetmi kryetar opozite, që ka bllokuar dhe bërë lloj-lloj akrobacish për të penguar liberalizimin e vizave për shqiptarët? A e di ti, se je i vetmi kryetar opozite, që ka anatemuar dhe përbaltur Rrugën e Kombit? Dhe sot, vazhdon të jesh i vetmi kryetar opozite që për hir të interesit të ngushtë personal politik, vazhdon të bllokosh e të mbash peng miratimin e 3 ligjeve për marrjen e statusit të vendit kandidat”,- tha Bumçi.