Rama: Asnjë pronari legjitim nuk i është penguar e drejta për të zhvilluar pronën

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në prezantimin e pesë projekteve të përzgjedhura në konkursin për zhvillimin e “Tirana Fountain Tower”, projekt që synon transformimin e godinës së ish-“Tajvanit” në Parkun Rinia u ndal edhe te kritikat në lidhje me zhvillimin e territorit.
Rama e cilësoi absurditet kritikën që siç u shpreh ai, “medemek në projektet tona ne bëjmë nxjerrje me forcë nga shtëpitë të njerëzve për të imponuar projekte që arkitektët ndërkombëtarë i bëjnë pa pasur parasysh njerëzit”.
Rama tha se “kjo është një mungesë e pajustifikueshme respekti për personalitete të një bote ku ka shumë më tepër përgjegjshmëri dhe ka shumë më tepër sens të përkatësisë ndaj vendit sesa se sa kanë komentatorët e punëve të tyre”.
“Kjo është pastaj edhe totalisht e pavërtetë. Nuk ka ndodhur në Shqipëri asnjëherë në asnjë rast dhe për asnjë arsye që të bëhet nxjerrja me forcë e askujt nga shtëpia për të zhvilluar një projekt privat. Në asnjë rast asnjë pronari legjitim nuk i është penguar liria e tij për të vendosur vetë nëse do të zhvillojë apo s’do të zhvillojë”, theksoi Rama. Ndërkohë, vijoi Kryeministrit, që nga ana tjetër ne e dimë shumë mirë që kemi sfida herë pas here me me zaptues të pronave të tjerëve, të cilët janë pjesë e proceseve të legalizimeve dhe për ata ligji është shumë i qartë. “Ne asnjëherë nuk kemi mbajtur anën e pronarit apo të zhvilluesit nëse pronarit e dhe zhvilluesi nuk kanë garantuar që për personin i cili gjendet aty të jetë të jepet një kontratë qiraje për diku tjetër për një numër të caktuar vitesh, të paguhet nga zhvilluesi deri kur personi apo familja të hyjë në programe të trajtimit të strehimit nga ana e bashkive. Kulmi në këtë qasje të këtij gazetari, por janë të gjithë këta që bëjnë këto komente është që arkitektetët e huaj vijnë në Shqipëri për të bërë “Art washing bulldozer politics” dhe për të realizuar gjëra që janë jashtë standardeve. Ndërkohë që e vërteta është krejt e ndryshme”, nënvizoi Rama. Rama kundërshtoi gjithashtu interpretimet se arkitektët e huaj angazhohen në Shqipëri për të realizuar projekte që shmangin standardet dhe rregullat urbanistike. Kreu i qeverisë u shpreh se “e e kemi pasur pasur vazhdimisht diskutime për mbirregullimin, kemi pasur vazhdimisht diskutime për shumë pengesa që kanë dalë në rrugën e zhvillimit urban dhe të zhvillimit arkitektonik në vende europiane, por kjo nuk do të thotë që ne në Shqipëri ndërtojmë pa rregulla apo ne në Shqipëri bëjmë diçka që në vendet e tjera do ishte e papranueshme dhe e palejueshme”.Më tej Rama tha se projektet e përzgjedhura në konkursin ndërkombëtar për zhvillimin e “Tirana Fountain Tower” janë rezultat i një procesi vendimmarrjeje të bazuar në gjykimin profesional të jurive, ku shumicën e përbëjnë arkitektë, urbanistë dhe profesorë të njohur.
“Janë pikërisht vendimmarrjet e këtyre konkurseve ku faktikisht shumica e jurisë janë arkitektë, urbanistë, profesorë, akademikë të njohur, të cilët janë tërësisht të lirë që të vendosin për projektet dhe ku siç e tregojnë të gjitha shënimet e jurive nga ana e palës shqiptare që është në minorancë asnjëherë nuk ka një orientim apo një ndikim mbi jurinë që ta detyrojë jurinë që të marri një vendim ndryshe nga ai që vjen natyrshëm nga mendimi profesional”, tha Rama.
Duke iu referuar çështjes së trashëgimisë dhe projektit për parkun, Rama tha se bëhet fjalë për një hapësirë me rëndësi historike, por që gjatë viteve ka pësuar transformime të ndryshme.
“Jemi përpara një cope historie, por nga ana tjetër jemi përpara një pjese të asaj cope ku gjatë historisë ka pasur një transformim dhe transformimi ka ndodhur qysh në kohën e komunizmit, kur edhe vetë komunistët e panë të arsyeshme që aty të ndërtojnë diçka”, u shpreh Rama.
Sipas tij, më pas zhvillimi ekonomik në kushtet e ekonomisë së tregut solli nevojën për një tjetër transformim, ndërsa kushtet e reja kërkojnë sot një ndërhyrje të mëtejshme në atë hapësirë.
Rama nënvizoi se, në çdo rast, ndërhyrja e parashikuar nga konkursi duhet të marrë në konsideratë rigjenerimin e parkut dhe ruajtjen e vlerave natyrore të tij.
“Është shumë e qartë edhe në perimetrin e përcaktuar nga konkursi që çfarëdo që do të vendoset dhe çfarëdo që do të zhvillohet, do të duhet të rivlerësojë dhe të ndikojë në rigjenerimin edhe të vetë parkut, pa prekur asgjë që aty natyra ka si prani”, tha Rama.
/k.s/j.p/