E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Ata që premtojnë pensione 400 apo 1 mijë euro janë maskat e Sudes

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Kryeministri Rama u tha pensionistëve në Korçë se nga rritja e pagave, ata duhet të jenë të parët që të gëzohen.

“Kur ju dëgjoni për rritje pagash, duhet të jeni të parët që të gëzoheni në sensin që çdo rritje pagash është rritje për fondin e pensioneve. Nga një pagë më e lartë ti merr një kontribut më të madh për pensionet. Nëse pagat nuk do të rriteshin do kishim një problem shumë të madh sepse ishte 510 milionë euro dhe sot është 1.3 miliardë, më shumë se sa dyfishi. Këto dalin nga pagat. Sot jemi në kushtet që po na hapet mundësia që të rrisim pensionet dhe ky është kryeqëllimi i PS”, u shpreh ai.

“Sot mund të flasim për mundësi sepse edhe ky vit është me rritje të ardhurash, por duhet të jemi të vetëdijshëm që kur dalin disa sharlatanë që flasin për rritje të menjëhershme do ta bëjmë pensionin 400 euro apo një mijë euro, këta janë maskat e Sudes. Maska të njohura dhe më të panjohura të reja, por ëshë Sudja mbrapa. Është fryma antishtet dhe fryma e anti të ardhmes e Sudes, qoftë kur dalin maskat në penxhere në kat të tetë, qoftë kur shfaqen maskat në majë mali me tuta, qoftë kur dalin nëpër dritare të vogla të telefonit apo ekraneve dhe paraqiten si e reja që po vjen, në fakt është Sudja që del bashkë me shpirtin”, theksoi Rama.

“Po shpirti nuk del, kështu që Suden e kemi hije, den baba den në histori. Prandaj nuk kemi arritur dot të bëjmë drejtësi, apo prokopi ashtu siç e meritojmë në shumë vite, sepse ka qenë një kombinim i një çifti fatal, Haxhi Qamili nga njëra anë dhe Sudja nga ana tjetër. Ky ka qenë çifti që ka udhëhequr si frymë politikën dhe rrugën e shtetit shqiptar dhe pastaj Ismail Qemalin e detyruan të iki të marrë arratinë, Fan Nolin e detyruan të marrë arratinë, prandaj ata që u përpoqën me idealizëm dhe me gjithë shpirt, o morën arratinë, o vajtën nën dhe ose përfunduan në kampe”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se hapja e negociatave me BE është një moment i rëndësishëm për zhvillimin dhe të ardhmen e vendit, që do të reflektohet në shumë drejtime.

“Ne kemi hapur negociatat me BE-në, jemi në kushtet kur kemi një moment historik ku rrethanat janë përgatitur dhe yjet janë vënë bashkë që ne ta ngremë flamurin në Bruksel dhe ta bëjmë Shqipërinë anëtare të BE-së. Kjo do të thotë që çifti Haxhi dhe Sude nuk e kërcënojnë më Shqipërinë sepse futemi në një familje ku çdo anëtar i familjes nuk lëviz dot shumë, por pak, sepse po lëvizi e fusin në rresht. Popujt e kësaj familjeje kanë një garanci që nuk i kanë shumë popuj të tjerë. Pra, sot jemi ende me hijen e Sudes, se hija e Haxhiut është duke u tretur, por Sudja është shumë e pranishme”, vijoi Rama.

“Ka shumë nga këta sharlatanët që mendojnë se pensionistët e votojnë PS sepse janë komunistë. Pensionistët e votojnë PS sepse janë analistët më të mirë të politikës në Shqipëri. Ata që dalin nëpër ekrane dhe shkruhen analistë, ata janë sharlatanë, pjesa më e madhe. Pensionistët e dinë shumë mirë se çfarë është puna, si krijohet e mira me punë dhe sa e vështirë është dhe mbi të gjitha nuk janë të shkollës kur aritmetika u bë 7 herë 7 bëjnë 42, por janë të një shkolle që i ka mësuar se një dhe një bëjnë dy, nuk bëjnë dot shtatë. Se këta të bëjnë të vdekur, kur dalin dhe flasin. Kur t’ju dalin në televizor mos harroni që po ju flet Sudja, me fytyra dhe zëra të ndryshëm”, tha Kryeministri Rama.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›