Rama: BE afat deri në 2027-n për të mbyllur negociatat, mos të humbim kohë me “kënetën”

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se Bashkimi Evropian i ka dhënë Shqipërisë afat deri në 2027-ën për të mbyllur negociatat me BE.
I pyetur në një intervistë televizive se pse e quan kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha “bufi i kënetës’ dhe opozitën si këneta, Rama u shpreh se, “bufi ka marrë vend në vëmendjen e njerëzve, por nuk ka qenë asnjëherë dominant në kohën edhe në volumin e çfarë është thënë qysh në fillim, por sigurisht që duke qenë një personazh pikant ka zënë më shumë vëmendje”.
“Është shumë e vështirë të gjesh rrugë të merresh me kundërshtarë që janë jashtë çdo lloj formati në aspektin etik që të ngrenë dhe të ulin nga mëngjesi deri në darkë, nga viti në vit me të gjithë të zezat e kësaj bote, që të shajnë, të akuzojnë, që s’kanë lënë gjë dhe s’lënë gjë pa të thënë dhe që nuk të lënë të gjallë dhe të vdekur të familjes pa të futur”.
“Tani, si raporton me këta? E vetmja mënyrë është karikatura dhe satira, nuk ka mënyrë tjetër. Unë nuk mundem kurrë dhe s’e kam bërë asnjëherë që t’i sulmoj kundërshtarët me akuza dhe me sharje që janë të natyrës penale: hajdut, maskara që janë fyerje të drejtpërdrejta dhe ti nuk merresh me çfarë tjetri përfaqëson dhe thotë, por merresh me personin dhe familjen”.
“Unë nuk e bëj dot këtë dhe s’e kam bërë asnjëherë. Dhe këtu që detyrohem e kam dhe prirje të karikaturizoj, të satirizoj dhe është një formë komunikimi për të kundërgoditur, por pa u përzierë me llumin e gjuhës dhe me llumin e komunikimit politik”, tha Rama.
Rama theksoi se, “kjo fushatë nuk ka nevojë për gogol”.
Rama solli shembullin e primareve në PD. “U tregua se çfarë kënete shumë e rrezikshme është kur u bënë ato primaret e famshme dhe kur këneta i gëlltiti të tërë ata që fituan primaret”, tha Rama.
I pyetur nëse në Shqipëri është ndërtuar një kënetë e madhe, Rama u shpreh se, “nëse kjo do të ishte e vërtetë ne nuk do ishim sot në tryezë duke negociuar anëtarësimin në BE. Nuk ndodh sepse BE nuk të ul në tryezë të negociojë anëtarësimin dhe futjen në shtëpinë e tij nëse ti je kënetë. Nuk ndodh kjo”.
I pyetur nëse BE thotë që nuk na pranon edhe nëse bëjmë detyrat tonë, Rama u shpreh se, “kjo na ka ndodhur ne që ne i kemi bërë të gjitha, jo sipas nesh, për atë fazë, për t’i hapur negociatat i kishim bërë gati. Komisioni Evropian i thoshte kryeministrave që këta janë gati, hapjani, dilte njëri atje i Holandës thoshte “jo”, dilte tjetri pastaj “jo”. Kjo është shtëpi të pasurish, nuk është shtëpi të varfërish. Nuk e hap derën shtëpia e të pasurve se po troket ti. Nuk e hap. Ti trokit sa të duash. Dera rri mbyllur dhe që të hapet ajo derë duhet të 27-të që janë brenda të bien dakord që ta hapin. Dhe ata nuk e hapin se troket ti. Ti mund të trokasësh sa të duash, e hapin në momentin kur së pari, krijojnë një respekt, një besim, një vlerësim për ty, por dhe kur kanë një interes ata ta hapin derën”.
“Sot është përputhur pikërisht kjo. Ne jemi gjendur gati dhe ata janë në kushtet kur duan të zgjerojnë, apo siç po e thonë gjithmonë e më shumë, unifikojnë Evropën. Dhe janë të etur për të dhënë mesazhin përtej perimetrit të BE-së që BE po zgjerohet, po unifikohet, po merr anëtarë të rinj etj.”, tha Rama.
“Ndryshoi komplet politika e zgjerimit dhe sot na kanë dhënë një afat, – theksoi Rama, teksa shtoi se, – ata mbetën shumë të impresionuar nga faza screening gjithë atë përgatitjen që kishim bërë ne dhe na kanë dhënë një afat 2024-2027. Ata thonë nëse ju i bëni të tëra këto që duhen bërë për të firmosur marrëveshjen deri në 2027-n ne ju marrim brenda dhe e thonë të tërë”.
Rama shtoi se, “gjeopolitika është vendimtare që ata të thonë: hajde ulemi, flasim, por negociatat janë reale. Nuk të falin ata asgjë për gjeopolitikë ata nuk të fusin brenda. Për gjeopolitikë ata të japin shansin që ti të provosh se je gati të hysh brenda. Pa gjeopolitikë nuk hapej dera nuk diskutohet, por ama duhet të jesh gati, ndryshe nuk të fusin brenda”.
Rama theksoi se “nuk mund të humbim kohë, nuk duhet t’i japim atyre alibira. Se po filluam të vonohemi ne ta mbyllin. Pastaj në momentin që ne mbyllim në 2027-n, hyn procesi që shkojnë nëpër parlamentet e gjithë vendeve që ratifikohet, por aty nuk ka më bllokim, aty mbaron loja, në momentin kur mbarojnë negociatat”.
/a.f/r.e/