E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: BE na la jashtë për të dytën herë, mbledh sot kryesinë grupit

TIRANE- Kryetari socialist, Edi Rama ka ngritur dje një diskutim në faqen e tij personale në “Twitter”, në lidhje me përgjigjen që do të marrë Shqipëria së shpejti nga Bashkimi Evropian. “Paskemi kaluar gjysmën e vendeve të BE-së sipas Saliut; Po si shpjegohet që BE-ja na lë jashtë për të dytën herë?!”, - është shprehur Edi Rama, duke u nisur nga deklaratat e fundit të bëra nga kryeministri Sali Berisha, por edhe nga faktet dhe pasazhet që u publikuan në media në lidhje me ato çfarë mund të përmbajë raporti i BE-së. Ky raport pritet të dalë në 12 tetor dhe sipas gjasave dhe burimeve nga Brukseli, mund të jetë sërish negativ për statusin e kandidatit.

Ndërkohë sot, kreu socialist kthehet në selinë e PS-së pas disa ditësh mungesë. Ai pritet të jetë në takimin e përjavshëm që zhvillon me kryesinë e grupit parlamentar dhe bordin e kryetarëve dhe nënkryetarëve të komisioneve parlamentare, për të diskutuar në lidhje me axhendën e javës së ardhshme të Kuvendit. Diskutimi pritet të përqendrohet edhe në pikat e nxehta të ngërçit politik, tek votimi i ligjeve me 3/5 apo te refuzimi i maxhorancës për paktin prej 10 pikash, që PS-ja e paraqiti edhe në Kuvend.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›