E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau shokun me thikë, dosja në gjykatë

TIRANE- Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dorëzoi për gjykim dosjen penale ndaj të pandehurit Stilijan Korabi, i akuzuar për vrasje me dashje. Pas disa muajsh hetime, prokuroria e akuzoi Korabin për vrasjen me thikë të mikut të tij, Artan Këllezi, mbrëmjen e 1 korrikut 2011, në një pikë lotoje pranë Kodrës së Priftit, në kryeqytet. Nga hetimet e organit të akuzës, ka rezultuar se viktima dhe autorit kanë pasur njohje te mëparshme. Madje natën e krimit janë gjendur të dy në të njëjtën tavolinë. Zënka mes tyre ka nisur për shkak të një borxhi, që Artan Këllezi nuk ia kishte shlyer Korabit, ndaj ky i fundit pas shumë debatesh ka nxjerrë thikën duke qëlluar disa herë mbi mikun e tij i cili ka gjetur vdekjen. "Më datë 01.07.2011, rreth orës 21:00, shtetasi Artan Këllezi ka qenë i ulur në lokal "Lloto Ibet", që ndodhet në rruga "Qemal Stafa". Ndërkohë, në lokal ka shkuar dhe shtetasi Stiljan Korabi, i cili është takuar me shtetasin Artan Këllezi. Të dy këta shtetas janë ulur në një nga tavolinat e ambientit të këtij lokali. Pas takimit, ndërmjet shtetasve Artan Këllezi dhe Stilijan Korabi ka lindur një debat me fjalë. Shkak i këtij debati është se shtetasi Artan Këllezi kishte marrë një shumë të hollash nga shtetasi Stilijan Korabi dhe se deri në atë moment nuk ia kishte kthyer. Gjatë debatit, në një moment shtetasi Stilijan Korabi ka nxjerrë nga brezi një mjet prerës dhe me anë të këtij mjeti ka qëlluar disa herë mbi trupin e shtetasit Artan Këllezi. Si pasojë e këtyre goditjeve, shtetasi Artan Këllezi ka gjetur vdekjen. Ndërkohë, shtetasi Stilijan Korabi është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me armën e krimit", - thuhet në dosjen e prokurorisë. Dosja penal ndaj Stilijan Korabit është dorëzuar në gjykatën dhe mban nr.2049. Shorti elektronik ka përcaktuar gjykatësin Arben Micko për shqyrtimin e saj.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›