E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Bashkia e Tiranës është lokomotiva e zhvillimit, partneriteti me të do të vijojë të prodhojë sukses

TIRANË, 3 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se bashkia e Tiranës është lokomotiva e zhvillimit në të gjitha drejtimet, ndaj edhe mbështetja e qeverisë mbetet prioritare.

Gjatë përurimit të rikonstuksionit të dy godinave në Qytetin Studenti, Rama u shpreh se ka shumë rëndësi që ky prioritet të vazhdojë të prodhojë sukses.

“Jam i bindur që ndërkohë bashkia, Erioni do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre edhe në aspektin e plotësimit të gjithë këtyre hapësirave tanimë të shpëtuara nga barbaria, edhe nga zaptuesit, me ende më shumë gjelbërim, me ende më shumë pemë, me ende më shumë diversitet. Ky qytet ka potencialin që të bëhet një qytet-park. Nga ana tjetër, duhet të jenë të gjithë të bindur që për qeverinë tonë dhe për mua personalisht, bashkia e Tiranës është lokomotiva në të gjitha drejtimet dhe mbështetja jonë në këtë aspekt, ka qenë, është dhe do të mbetet një mbështetje prioritare, sepse për ne ka shumë rëndësi që ky prioritet të vazhdojë të prodhojë sukses,” tha Rama.

Sipas tij, “ka shumë rëndësi që kjo punë të vazhdojë të jetë komplementare, sepse bashkia e Tiranës nuk është një bashki si të tjerat, por është metropoli i Shqipërisë”.

“Duke pasur edhe këtë sukses ekonomik në Tiranë, ka edhe kapacitete për të bërë hapa shumë më të mëdhenj sesa të tjerët dhe në njëfarë mënyre për të udhëhequr me shembullin e vet, në rrugën ku dhe të tjerët do të hyjnë hap pas hapi,” shtoi ai.

Duke u ndalur tek abonetë falas për pensionistët, Rama tha se ato mbështeten dhe  financohen drejtpërdrejtë nga bashkia e Tiranës dhe janë një hap që shkon në drejtimin e duhur.

“Janë abone për pensionistët për të mos nxjerrë pensionistët lekë nga xhepi dhe për të mos paguar nga pensionet e tyre, por nga ana tjetër janë abone për të cilat paguan bashkia e Tiranës, paguajnë taksapaguesit, paguajnë ndërtuesit, të cilët i paguajnë kësaj bashkie taksat më të larta. Se është kollaj të flasim për ‘ky po ndërton, ai po ndërton’, po nga ana tjetër duhet të shohim se sa gjëra marrim mbrapsht jo thjesht në aspektin e një transformimi që askush nuk mund ta imagjinonte dhe nuk e imagjinojnë as të huajt që vijnë,” tha ai.

Ndër projektet e reja, Rama theksoi dhe nismën për ofrimin e ushqimit të drekës në shkollat 9-vjeçare, një program që synon të ndihmojë familjet dhe të krijojë një komunitet më të fortë social mes fëmijëve.

“Do vëmë në jetë dhe projektin më të ri të përbashkët mes qeverisë dhe bashkisë, që në shkollat 9-vjeçare të fusim edhe ushqimin e drekës dhe të krijojmë mundësinë për të pasur më shumë komunitet, në sensin më shumë jetë të përbashkët, edhe sociale mes fëmijëve, për të pasur më shumë aktivitete, që prindërit në momentin që lënë fëmijën në mëngjes në shkollë të mos e kenë kokën mbrapa dhe të mos detyrohen pastaj, të merren vesh me njëri-tjetrin, kush do e lërë punën për të shkuar për ta marrë fëmijën për ta çuar në shtëpi etj., etj., po të bëjnë punën e tyre me orë të plota, dhe nga ana tjetër, patjetër, dhe për të lehtësuar nga pikëpamja financiare një pjesë të familjeve që nuk e kanë shumë të lehtë jetën e tyre të përditshme ekonomike,” theksoi kreu i qeverisë.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›