E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rast suksesi në Spitalin e Shkodrës, Koçiu: Ndërhyrje me procedurë të avancuar endovaskulare te 84-vjeçari

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Ekipi i mjekëve në repartin e kardiokirurgjisë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ka kryer për herë të parë një ndërhyrje të rrallë tek një pacient i moshës 84-vjeçare.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka bërë të ditur sot përmes rrjeteve sociale lajmin, duke u shprehur se “për herë të parë, në Spitalin Rajonal Shkodër është kryer me sukses stentimi i arteries karotide, një procedurë e avancuar endovaskulare që ofron një alternativë më pak invazive për pacientët me rrezik të lartë”.

Sipas ministres Koçiu, kjo ndërhyrje e rrallë u krye tek një pacient 84-vjeçar, i diagnostikuar me TIA (Atak Iskemik i Përkohshëm), i cili nuk ishte i përshtatshëm për ndërhyrje kirurgjikale tradicionale.

“Ky sukses përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara për Spitalin Rajonal të Shkodrës, duke e pozicionuar atë si një qendër që ofron protokolle të plota dhe trajtime të avancuara për sëmundjet vaskulare. Ky angazhim tregon përkushtimin e spitalit në sigurimin e shërbimeve mjekësore të specializuara dhe cilësore për pacientët”, thotë Koçiu.

Ministrja Koçiu u ka shprehur mirënjohjen ekipit të mjekëve që realizuan këtë ndërhyrje të vështirë: “Mirënjohje për ekipin mjekësor: Dr. Besmir Grizhja, Dr. Enkelejd Lohja, Dr. Gledis Zaimi dhe Dr. Genc Nurja dhe stafin infermieror, përfshirë Ermali Dibrën, Afrim Bashin dhe Ilir Dizdarin”.

/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›