Rikonstruksioni i shkollës “Demokracia”, Sako: Kushte më të mira për 556 nxënës dhe 50 fëmijë të kopshtit

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Demokracia” në Durrës do të zhvillojnë mësim në kushte më të mira dhe me standarde bashkëkohore.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako thotë se “në shkollën 9-vjeçare “Demokracia” e cila është rikonstruktuar tërësisht, 556 nxënës, 50 fëmijë të kopshtit me të njëjtin emër si dhe stafi pedagogjik zhvillojnë procesin mësimor në ambiente modern”.
Sipas Sakos, kjo shkollë ka 24 klasa, një laborator informatike, një smartlab, një klasë zhvillimore për nxënësit me aftësi ndryshe dhe një sallë aktivitetesh.
“Pas rikonstruksionit shkolla ka veshje me sistem kapot, sistem ngrohje qëndrore, terren sportiv volejbolli dhe basketbolli në oborr dhe është shkollë qendër komunitare”, thotë Sako në një postim në rrjetet sociale.
Qeveria ka rritur investimet për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në të gjitha shkollat në vend.
Janë 100 shkolla që përgjatë vitit 2024 janë rehabilituar, ose janë në proces rehabilitimi. Ndërsa 40 kantiere të reja në të gjithë vendin janë hapur tashmë dhe pritet që t’i shtohen zinxhirit të shkollave të rehabilituara që garantojnë standarde shumë të mira për nxënësit, por edhe për mësuesit.
1 nga 22/a.f/