Rama: Berisha- Meta nuk përfaqësojnë asnjë lloj të djathte, s’përfaqësojnë asnjë lloj alternative

Kryeministri Edi Rama, gjatë turit të takimeve në jug të vendit, për zgjedhjet vendore të 14 majit, që nga Këlcyra deklaroi se qëllimi i dyshes Berisha-Meta, nuk është shërbimi, por vetëm pushtimi i bashkive.
Sipas tij, qytetarët, mund të mos e shikojnë dot me sy PS, as Edi Ramën, por nuk duhet ta çojnë votën dëm.
“Ata sjellin frymën e Sudes, s’kanë asnjë respekt për njerëzit, kap çfarë të kapësh, mblidh votat edhe hajt se po e kapin e zaptojnë bashkinë. Këta i shohin bashkitë si Kështjella për t’i marrë peng. Janë njerëz që duan sherr, duan konflikt e t’i kthejnë bashkitë në barrikada.”- theksoi Rama.
Sipas tij, të gjithë ata gjyshër që e pësuan politikisht pse ishin të djathtë dhe që sot janë në botën tjetër, do të rrotulloheshin në varr, nëse u jepet vota atyre që vijnë këtu për llogari të Berishës e Metës, sepse ata nuk përfaqësojnë asnjë lloj të djathte, nuk përfaqësojnë asnjë lloj alternative tjetër “përveç hallit të madh të dy njerëzve me drejtësinë, të një çifti që është zorra qorre e Shqipërisë”.
Rama: Memaliaj- Tepelenë, do të jetë ndër destinacionet më të preferuara për turistët e huaj
Ndërsa në Tepelenë, kreu i qeverisë shqiptare premtoi se ajo zonë do të kthehet ndër destinacionet më të preferuara për turistët e huaj.
Sipas tij, Tepelena ishte një “xhep falso” në anë të rrugës dhe as nuk mund të imagjinohej që këtu të flitej për turizëm e agroturizëm të ndërtuar me investimet e emigrantëve tepelenas, që gjithmonë e më shumë po e kthejnë kokën aty ku kanë të ardhmen e sigurt.
“Nga Memaliaj në Tepelenë, do të jetë ndër destinacionet më të preferuara për turistët e huaj. Kalaja ka hyrë në fazën e dytë të projektit dhe do të jetë një tjetër pikë që do të tërheqë turistë dhe do të hapë vende të tjera puna. E kanë marrë besimin e Shkodrës verbërisht, symbyllur, por është qyteti ku plehrat vazhdojnë, mbushin kazanët. Po Memaliajn pse e kërkojnë? Për ta marrë peng? Për të sjellë sherrin e ‘non grata’ dhe ‘Like Floririt’, për të sjellë turpin e për ta kthyer bashkinë në një kështjellë ku futen disa njerëz, jo për Memaliajn por për veten e tyre”, tha Rama.
/rtsh.al/