E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha, Basha dhe Olldashi të përgjigjen para drejtësisë për shembjen e tunelitNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje para medieve se kryeministri, Sali Berisha, së bashku me ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha dhe min

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Rama: Berisha, Basha dhe Olldashi të përgjigjen para drejtësisë për shembjen e tunelitNga Tema

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje para medieve se kryeministri, Sali Berisha, së bashku me ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha dhe ministrin aktual, Sokol Olldashi, duhet të përgjigjen për shembjen e tunelit të Kalimashit. Rama tha se ky është një krim ekonomik që do u kushtojë shqiptarëve edhe qindra miliona euro.

“Vetëm disa ditë më parë media e pavarur raportoi se në tunelin Thirrë-Kalimash pati një shembje. U fol për 80 metra shembje, por në mungesë të plotë të transparencës, natyrisht kjo shifër ishte një hamendje. Qeveria nuk tha asnjë fjalë, edhe pse bëhet fjalë për investimin më të madh publik të popullit shqiptar në të gjitha vitet e tranzicionit. Për qeverinë, sipas deklaratës zyrtare të disa muajve më parë të vetë ministrit të Transporteve, rruga Durrës-Kukës përfshi edhe tunelin e Kalimashit kishte përfunduar. Madje të gjithëve ju kujtohet që kryeministri i atëhershëm nuk nguroi ta inauguronte, jo një herë, por dy herë, në fillim e në fund të fushatës së tij elektorale me fondet publike tunelin e Kalimashit. Në fakt rruga u hap për disa kohë bashkë me tunelin, pastaj tuneli filloi nga një rikonstruksion në pjesën e poshtme, që nisi të shfaqte probleme të ndjeshme, derisa u mbyll fare pas lajmit të shembjes. Qeveria heshti, Ministria e Punëve Publike po ashtu”, - tha Rama.

“Ky nuk është një normalitet në punë e sipër, po përshkallëzimi dramatik i një krimi të mirëfilltë ekonomik si pasojë e shpërdorimit të detyrës, për qëllime korruptive, që do t’i kushtojë popullit shqiptar edhe disa qindra miliona euro, jo sepse aq kushton vepra, po sepse kaq kushton të kesh në krye një njeri që vetëm abuzon me interesat publike për të shuar oreksin për fitime të paligjshme dhe etjen për një pushtet që tashmë nuk buron as nga vota e lirë, por nga vjedhja e votës.

Sot, Partia Socialiste i kërkon publikisht Prokurorisë të hetojë ngjarjen e ndodhur në tunelin e Kalimashit dhe ta rishohë dosjen e famshme të ministrit të Punëve të Brendshme të Familjes në pushtet, duke i shtuar abuzimeve të deritanishme edhe abuzimin e ri që solli shembjen e tunelit. Të kërkojë sërish heqjen e imunitetit të këtij personi të zhytur kokë e këmbë në korrupsion, si edhe të thërrasë Sali Berishën për të dhënë shpjegimet e tij, së bashku me ministrin aktual të Punëve Publike që vazhdoi në gjurmët e paraardhësit, atij të punëve të brendshme të Familjes në pushtet.

Kryetari i PS tha se qeveria nuk duhet të bllokojë informacionin në lidhje me këtë ngjarje. Rama tha se Berisha bleu Ilir Metën për të plaçkitur çka ka ngelur në këtë vend.

“Përditë e më tepër Shqipërisë po i dalin në sipërfaqe plagët e një infeksioni të rëndë të shkaktuar nga kapja më monstruoze e shtetit në këto 20 vjet, nga korrupsioni më i pafytyrë dhe babëzia më e papërmbajtur e pushtetit - që sot është një mjet në duart e Familjes së njeriut që drejton qeverinë.

Në çdo pëllëmbë të Shqipërisë po del në sipërfaqe dhunimi që familja në pushtet i ka bërë në katër vite ligjit dhe Kushtetutës, në çdo hap po del në pah dhunimi apo blerja e heshtjes së medies në vend.

Sot shqiptarët e kanë të qartë se Sali Berisha nuk i shtriu dorën Ilir Metës thjesht për të krijuar mazhorancën e nevojshme për të qeverisur. Sali Berisha e bleu Ilir Metën për të mbuluar tok me të krimet e qeverisjes së tij, për të plaçkitur bashkë me të gjithçka ka mbetur dhe për të legalizuar me ndihmën e tij gjithçka ka vjedhur”, - tha Rama.

Olldashi: E kisha paralajmëruar problemin, Rama nxjerr fekale nga goja

Ministri i Transportit, Sokol Olldashi, iu përgjigj kryetarit të opozitës për çështjen e rrugës Durrës-Kukës dhe shembjen e tunelit të Kalimashit, duke i thënë rrugaç politik. Olldashi tha se Rama po gëzohet për këtë ngjarje.

“Kryetari i Partisë së Bashkisë, në një akt rrugaçërie të pashembullt politik, doli sot përpara shtypit për të shfaqur gëzimin e tij të pakontrolluar për ngjarjen e ndodhur katër ditë më parë në galerinë jugore të tunelit Thirrë -Kalimash. Është rasti i parë në të gjithë botën demokratike që një drejtues opozite i lejon vetes të ngazëllejë dhe të ngrejë mbi ngazëllimin spekulime të turpshme”, - tha Olldashi.

Ai shtoi se i kishte paralajmëruar para një muaji problemet në tunel.

“Ndaj ngjarjes, qeveria përmes MPPTT ka mbajtur standardet më të larta të transparencës. Në deklaratën që kam bërë përpara jush më 09.10.2009, pra ekzaktësisht një muaj më parë, ju kam njoftuar: “Tuneli do të mbyllet, me qëllim që t’i jepet mundësi kompanisë ndërtuese të përfundojë instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij, si dhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël, një situatë kjo e paparashikuar, për të cilën kontraktori po punon në vijimësi”. Pra, e kemi bërë transparent problemin”, - tha Olldashi.

Edhe pse për ngjarjen e mesjavës kjo ministri reagoi me shumë vonesë, Olldashi tha se ata kanë qenë transparentë. Sipas tij, shembjet janë normale.

“Edhe ndaj rrëshqitjes së datës 5 nëntor kemi mbajtur të njëjtin standard transparence. Kemi informuar publikun për çdo zhvillim. Fenomeni gjeologjik që ndodh në tunelin e Thirrës ishte i paparashikuar dhe fenomene të paparashikuara në brendësi të maleve, në punime të tilla, janë të pritshme. Një situatë pothuajse identike me tunelin e Thirrës haset në tunelin e linjës së shpejtësisë së lartë Lion-Torino. Në këtë tunel, punimet për të cilin kanë nisur më 2003, në vendin e quajtur St. Martin La Porte, ka pasur konvergjenca të vazhdueshme deri në 2 m spostim të masës shkëmbore, por nuk është parë ndonjë drejtues i opozitës franceze të festojë për këtë. Nuk ka asnjë lidhje mes fenomenit gjeologjik dhe kalendarit të punimeve në rrugë. E ritheksoj se rrëshqitja e dheut ka ndodhur në pjesën e pabetonuar të tunelit jugor, i cili nuk është hapur asnjë ditë të vetme për publikun, pasi vazhdon të jetë në ndërtim.

Gjithçka ka thënë sot Edi Rama në konferencën e tij për shtyp nuk është gjë tjetër veçse një defekim oral. Tuneli do të hapet, vetëm kur të përfundojnë punimet e sigurisë dhe të elektromekanikës dhe unë do ju ftoj ju që atë ditë t’i kërkoni Edi Ramës që të ripërtypë atë që po nxjerr nga goja sot”, - tha Olldashi.

PS: Duam transparencë për ngjarjen

Partia Socialiste reagoi pas deklaratës së ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, duke e quajtur të turpshëm fjalorin e tij. Zëdhënësja e PS tha se ata i kanë kërkuar informacion për këtë ngjarje.

“Në një përpjekje të turpshme për të mos thënë përsëri të vërtetën ministri foli për shembje që kanë ndodhur në Francë, në Turqi, në Itali, në Zvicër, madje edhe në Kinë, po nuk tha çfarë ka ndodhur konkretisht në tunelin e Kalimashit. Ndërkohë që ne i rikërkojmë të thotë:

Çfarë volumesh janë shembur?

Pse janë shembur?

Cila është kostoja shtesë e këtyre volumeve?

Si edhe të thotë po ashtu, pse nuk jepet një informacion korrekt e i detajuar dhe pse nuk lejohet as media të bëjë detyrën e saj karshi publikut”, - tha zëdhënësja e PS, Armela Ymeraj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›