E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shirat e pandërprerë, alarm përmbytjesh në gjithë zonat

 

Reshjet e shiut nuk kanë të sosur, duke shtuar problemet në të gjithë vendin. Në rrethe të ndryshme ka zona të mbuluara me ujë, ku janë përmbytur shtëpi, dyqane e shkolla. Nuk dihet se kur do të përmirësohet situata, pasi pritet që kushtet e motit të ndryshojnë vetëm në fundjavë.
DURRES
Për të katërtën ditë radhazi shiu në Durrës, nuk ka pushuar duke vënë përpara një sprove të vështirë shtabin e emergjencës, pushtetin lokal, atë qendror si dhe të gjithë komunitetin. Ndonëse hidrovorët po punojnë në mënyrë të sforcuar, duke pompuar ujë në det pa ndërprerje kanalet dhe rezervuarët e kodrave të Spitallës rrezikojnë sërish daljen nga shtrati. Derdhja e tyre do të ishte katastrofike, pasi mbi atë zonë gjenden të depozituara miliona metra kub ujë që zbresin nga kodrat. E rëndë paraqitet situata edhe në ish-Kënetë, aty ku uji duket se e ka rikthyer pamjen në identitetin e 50 viteve më parë, kur krejt zona qe moçal. Situata kritike u përsërit përsëri në zonat periferike të populluar së fundmi, të cilat ndodhen brenda vijës së verdhë të bashkisë Durrës, si Porto-Romano, Shkozet, Plazh dhe ish-Kënetë. Shtabi i emergjencës në bashkëpunim me Kryqin e Kuq ka mundësuar strehimin në hotel për 6 familje durrsake, shtëpitë e të cilëve u përpinë nga ujërat. Mësohet se ka nisur edhe procesi i aplikimit për dëmshpërblim, ndonëse nuk është caktuar nga bashkia sa do të jetë përqindja e mbulimit të dëmeve për rreth 300 objekte.
SHKODER
Prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, zhvilloi dje një takim me drejtuesit e të gjitha njësive vendore dhe të institucioneve për situatën e përmbytjeve. Rrugë të bllokuara, qindra hektarë tokë të përmbytura, lumenj që kanë dalë nga shtrati, izolim fshatrash, probleme me furnizimin me energji elektrike për zonat e thella: këta kanë qenë problemet e bëra publike nga drejtuesit e komunave përkatëse. Kryetari i Këshillit të Qarkut, Gjovalin Kolombi nuk ka hezituar që të cilësojë ndër shkaktarët e kësaj situate vetë banorët e këtyre zonave. "Banorët nuk duhet të ndërtojnë në zona ku mund të ketë përmbytje, pasi shteti nuk ka aq shuma lekësh sa për të bërë investime kolosale në hapje kanalesh të mëdha". Zona më e rrezikuar është komuna e Shalës. Kryetari i saj, Ded Tonaj theksoi se gjendja është shumë serioze. "Ndërsa ne flasim ka dalë lumi i Shalës mbi rrugën e fshatit Ndërlysaj dhe rrezikohet fshati nga përmbytja. Shqetësim më vete është problemi i energjisë elektrike se ka një elektricist të vetëm në tre komuna të Dukagjinit. Rruga që lidh Shkodrën me Shalën është e bllokuar nga rrëshqitja e masivit shkëmbor në fshatin Lotaj", tregoi Tonaj.
VLORE
Përmbytja nuk ka shmangur oborret e shkollave dhe kopshteve në qytetin e Vlorës. Përballë faktit se para objekteve arsimore nuk mund të kalohej, nxënësit e shkollës 9-vjeçare "Ibrahim Kushta" kanë bojkotuar mësimin në formë proteste. Sipas tyre, prej 3 ditësh nuk mund të kalohet për t'u futur në shkollë dhe askush nuk ka marrë masa për të larguar ujin nga oborri dhe rrugës për të hyrë brenda saj. Pasoja të rënda ka pasur dje në zonën e Selenicës, ku si pasojë e prurjeve të mëdha lumi i Vjosës ka dalë nga shtrati, duke përmbytur rreth 150 hektarë tokë, shumica bujqësore. Pushtetarët vendorë njoftuan autoritetet e prefekturës, të basenit ujor e të institucioneve të tjera për marrjen e masave urgjente.
LEZHE
Gjendja pas reshjeve vazhdon të jetë shqetësuese në Lezhë e Kurbin, duke u përmirësuar vetëm në Shëngjin ku janë hapur dy kanale për të shmangur përmbytjen e banesave. Në Barbullojë e Spiten të Lezhës, qindra hektarë janë nën ujë dhe sipas banorëve asnjë pushtetar vendor nuk po kujdeset. Kanali kullues që mbledh ujërat për në hidrovorin e Tales nuk është i pastruar dhe për pasojë rrjedhja e ujit kryhet me vështirësi, ndërsa në Torovicë situata mbetet problematike pasi intensiteti i reshjeve është më i lartë sesa kapacitet i thithjes së pompave të hidrovorit. Bashkia e Mamurrasit ka dhënë alarmin për gjendjen, pasi sipas kryebashkiakut Dedë Ndreca nuk po ndërhyhet nga ndërmarrje e kanalizimeve. Përmbytje ka pasur dhe dje në kryqëzimin e Sanxhakut. Në terren shikohet se nuk është ndërhyrë as në lagjen 6, sipas porosisë së dhënë nga ministri Basha për vendorët për të devijuar kanalin kryesor në dy degëzime. Malësia e Kurbinit vazhdon të jetë shqetësuese, pasi 7 fshatra janë të izoluara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›