E Shtunë, 31 Tetor 2026

A jemi në krizë të gjithanshme?!

Rexhep Meidani 

Vrojtimi dhe trajtimi i një  krize, pavarësisht llojit të saj, shfaq forma të larmishme, sidomos tek nxitësit e mbartësit e saj, qofshin ata individë,  grupime, struktura apo qeverisje. Diku shpaloset indiferencë, papërgjegjësi e demagogji, diku përgënjeshtrim, “lustrim” dhe eufori, diku tjetër reflektim, seriozitet e mobilizim. Kjo dallueshmëri problematike e sjelljeje vlen si për individë të veçantë ashtu dhe për grupe individësh,  përfshirë dhe një strukturë qeverisëse politike apo partiake, ekonomike e administrative, ekzekutive e legjislative etj. Por ndryshe nga raste të zakonshme, ku larmia e konceptimit, trajtimit dhe realizimit është normale, në rastin e një krize, sidomos tërësore, të lexuarit, të parit dhe të sjellurit e ndryshëm ndaj saj mund të rezultojë në tërësi problematike, e dëmshme, deri katastrofike! Për shmangien e kësaj piste shqetësuese, në të cilën po futet, me dashje apo dashje, Shqipëria sot, vlen në mënyrë modeste dhe analiza e mëposhtme...
* * *
Kriza politike-institucionale. Ndaj pyetjes: a jemi ne sot në një krizë politike-institucionale, përgjigjja duket triviale, pavarësisht “teorizimeve” konkrete. E tillë ajo shfaqet, në radhë të parë, si krizë besimi midis partive politike, apo grupeve brenda tyre. Dhe në këtë krizë besimi, hezitimi për gjetjen e rrugëve të përbashkëta të bashkëveprimit institucional, përfshirë dhe kompromisin për hapjen e kutive, është një dozë tjetër shtesë ndaj mosbesimit të ndërsjellë. Së dyti, ajo shfaqet si një krizë parlamentare, sepse ende pas gati 3 muajsh 64 deputetë nuk kanë bërë besimin dhe nuk kanë nisur veprimtarinë e tyre legjislative. Kjo e ka bërë institucionin e parlamentit të pafuqishëm në realizimin e detyrave të veta, dhe akoma, tërësisht të bllokuar, ndaj detyrave konkrete dhe kërkesave të reformës, në përgjigje të proceseve integruese evropiane. Së treti, kjo krizë politike, shfaqet dhe në reagimet publike apo manifestimet popullore të disa forcave politike, të majta dhe të djathta, për hapjen e kutive masive, përfshirë dhe shprehjen e pakënaqësive ndaj qeverisjes. Së katërti, ajo shfaqet dhe si krizë e drejtpërdrejtë institucionale (krahas asaj parlamentare) brenda strukturave shtetërore, si: konflikti midis Tatimeve me Policinë e Shtetit në Ballsh, apo ai midis Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit në Tiranë etj. Po ashtu, me të lidhet edhe kriza e informimit politik-publik, transparenca institucionale ndaj qytetarit, si në rastin e marrëveshjes për ujërat e hapësirës detare shqiptare! Po në gjendje krize është dhe lëvizja sindikaliste, për arsye nga më të ndryshmet, përfshirë probleme të konceptimit dhe seriozitetit, kapacitetit dhe organizimit...
Në kuadër të këtij klasifikimi, mund të përfshihet dhe “rrumpalla” apo kriza e organizimit, që nënkupton se në organizim e funksionim, brenda strukturave e organeve të ndryshme, ekziston një situatë joligjore, diku për “prirje” kaotike, diku për përqendrim pushteti, që rrezikon jo vetëm qëllimet thelbësore të këtyre njësive të vendimmarrjes, por favorizon dhe përplasjet e panevojshme të kompetencave. Kapërcimi i këtyre aspekteve krize nuk mund të jetë as mbyllja e syve para ligjit dhe abuzimit, as indiferenca, as arroganca e tensionimi, por rritja e përgjegjshmërisë politike nga të gjitha palët, dhe në radhë të parë e pozitës qeverisëse për t’iu përgjigjur me seriozitet opozitës dhe kërkesave të saj. Për më tepër, dhe opozita, të paktën, pas ngjarjes së Gërdecit, mbulesës politike të kësaj ngjarje apo degradimit ligjor-gjyqësor të saj, ka të drejtë të jetë tejet më vigjilente!... 
* * *
     Kriza ekonomike dhe sociale. Vetë kriza në planin ekonomik-social, kudo që shpërthen ajo, nënkupton një degradim në nivel vendi, rajoni apo globi. Aktualisht, në krizë është ende e gjithë bota. Si një krizë globale e sistematike, në kohë e ndikim, ajo ka provokuar jo vetëm shqetësime serioze në tregtinë ndërkombëtare, por dhe po shfaq mjaft efekte negative në rrafshin social e ekonomik, si rrjedhojë e rritjes së papunësisë e varfërisë. Krahas papunësisë dhe varfërisë në Shqipëri para krizës (për mjaft analistë Shqipëria ka qenë gjithë kohën në gjendje krize!), në kushtet aktuale po aq serioz është dhe falimentimi i mjaft bizneseve të vogla dhe të mesme, pse jo dhe shenja të rrezikshme falimenti për biznese të mëdha. Këto implikime ekonomike e sociale, në vende të tilla si Shqipëria, mund të prodhojnë apo të shoqërohen me pasoja politike të dëmshme, duke i futur sistemet e tyre demokratike nën një stres; madje, në një stres të vërtetë jo vetëm për qeveritë e vendeve përkatëse, por dhe për qytetarët - konsumatorë të tyre. Me këto strese e pakënaqësi shpjegohen përplasjet e kohëve të fundit në botë dhe rreth nesh. Por, prapa nuk ka mbetur as Shqipëria me reagime në shtresime të ndryshme qytetarësh. Në këtë kuadër të mosbesimit social dhe të pakënaqësisë qytetare mund të klasifikohen dhe greva të tilla urie si ajo e të ish-burgosurve politikë, grevat e urisë të studentëve të Universitetit të Vlorës, atij Bujqësor; përplasjet e qytetarëve me policinë si në Orikum etj. Një problem në vete është dhe aspekti i veprimit të drejtpërdrejtë të krizës. Me këtë lidhet konkretisht përballimi i kostove sociale të krizës. Për më tepër, një gjë e tillë duhej të ishte në qendër të çdo politike sociale apo pakete normale antikrizë, por jo me demagogjinë e rritjes së rrogave dhe pensioneve me 10-15%, kur vetëm euro është mbivlerësuar mbi 15% brenda 10 muajve të këtij viti! Madje, parë me këtë sy, në një shtrirje kohore të krizës, sistemi i mbrojtjes sociale ose duhet të fuqizohet, ose duhet të riformulohet, po të kihet parasysh që në kushtet e Shqipërisë një sistem i tillë i mbrojtjes sociale është praktikisht mediokër...
      Pra, kriza aktuale është tejet komplekse, ajo afekton vende e rajone që varen në mënyrë të ndryshme nga niveli i tyre i zhvillimit, nga pozicionimi lokal e përfshirja e tyre në ekonominë globale. Prandaj, në gjetjen e përgjigjeve adekuate ndaj këtyre çështjeve kërkohen zgjidhje të ndryshme e strategji konkrete me përfshirjen e të gjithë faktorëve dhe aktorëve, me një ndërthurje të ndërsjellë të interesave lokale, rajonale e globale. Por, për fat të keq, euforia e madhështisë e ka lënë ende në një trajtim fasadë qeverisjen shqiptare, qoftë dhe duke bërë propagandë me rastin analog me Poloninë! Një shqetësim po aq real është dhe fakti që kjo krizë rrezikon të ushqejë, aty-këtu, si mbështetje të gabuara të jashtme, ashtu dhe preferenca të çuditshme qoftë për individë, qoftë për një qeveri gjoja të fortë. Dhe pse kjo mund të minojë rëndë kualitetin demokratik!...
* * *
       Nuk po ndalojmë më tej në aspekte të tjera kritike, që lidhen me përbërëse kryesore të sigurisë njerëzore, si ajo shëndetësore, sanitare e ushqimore, mjedisore apo ekologjike, ku mund të përfshihen, pa dyshim, dhe shqetësimet që lidhen me përdorimin e ujit të pijshëm, sidomos në zonat rurale, me furnizimin e energjisë elektrike, me çmimin në rritje të saj, etj. Po ashtu, përveç një gjendje permanente depresioni social, kemi ende mjaft probleme social-psikologjike, që lidhen me krizën e brendshme të modernitetit (më saktë të pseudo-modernitetit). Ajo, në thelbin e vet, lidhet me ndryshimet e shpejta të tranzitimit nga një sistem në tjetrin, nga izolimi absolut, në hapjen absolute politike - ekonomike e shoqërore - kulturore, duke gjeneruar diku modernizmin, diku konservatorizmin, diku rezistencën dhe opozicionin, diku imitimin e “majmunllëkut” etj. Por, pa përkujdesjen e vet institucionale, një krizë e tillë ende e pakapërcyer mund të provokojë deri përplasje të dhunshme e shkatërrimtare, qoftë në dinjitetin individual, qoftë atë kolektiv, në goditjen e traditës, të kapaciteteve kulturore e gjuhësore kombëtare. Dhe e gjitha kjo, për fat të keq, më shumë se në emër të modernizmit e globalizmit, shpreh ende kompleksin e inferioritetit dhe të “servilizmit” ndaj gjithçkaje të huaj...
       Dhe së fundi, problem akut është dhe kriza e medias, mënyra e drejtimit dhe e funksionimit të saj; përfshirë pse jo dhe ndonjë rast të ushqimit të dyshimtë të saj, aq më tepër me efekte të dëmshme mbi shoqërinë. Pa dyshim, për këtë përgjegjësi kanë jo vetëm bizneset e lidhura me to, por dhe politika e çdo krahu, lidershipet përkatëse. Kjo ka qenë kaq evidente sa “futja e duarve” e politikës ka bërë që të shkatërrohet dhe vetë media e pavarur, elektronike apo e shkruar. Rast i tillë është ai i stacionit televiziv kombëtar TVA, mjaft i ndjekur dhe me zë të fuqishëm gjatë krizës së Kosovës, apo gazeta opozitare “Koha Jonë” (me një tirazh që sot nuk e kanë të gjitha gazetat aktuale së bashku), tepër me peshë në luftën ndaj përqendrimit të pushtetit të presidentit, sidomos pas zgjedhjeve të dhunuara të majit 1996 apo gjatë krizës së skemave piramidale në fillim të vitit 1997. Janë të parët gazetarët e kësaj gazete që janë burgosur në fillimet e tranzicionit! Por kanë ndryshuar aq shumë gjërat sa është pikërisht kjo gazetë (me pronar tjetër) që, për shërbime politike dhe biznesi, i kundërvihet me cinizëm rrahjes së një gazetari!...
Kuptohet fati i gazetave partiake apo i televizioneve militante, por ama keqardhja bëhet shumë më e madhe kur këtë fat, normalisht, do të duhet ta kenë dhe gazeta apo stacione të konsideruara si pavarura, pas një rotacioni qeverisjeje. Dhe kjo nuk vlen vetëm për lidhjen me qeverinë qendrore, por dhe atë vendore...
* * *
Kështu është situata e sotme. As qeveritarët e sotëm të mos “nevrikosen”, as opozitarët të mos “fërkojnë duart”! Pa e kapërcyer së bashku këtë situatë, apo një më të ashpër se kjo aktuale, “handikapi” i krizës permanente do të vazhdojë të shoqërojë jetën tonë politike-institucionale, social-ekonomike dhe kulturore, të paktën, për një dekadë tjetër. Dhe ky është alarmi!...   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›