E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha, antimiting si Partia e Punës

Saliu, si Enveri. Përmes një krahasimi me ish-diktatorin komunist shqiptar, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi dje ndaj deklaratës së shefit të qeverisë, Sali Berisha, një ditë më parë. Ky i fundit pati deklaruar se do i shkulë dhëmbë e dhëmballë aleancës puniste mafioze, referuar përplasjes mes Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë për truallin në qendër të Tiranës.

Kreu socialist, duke theksuar se ky është një kërcënim i qartë kundër opozitës, vuri në dukje se mjaftojnë këto fjali për të kuptuar se ku ka rënë niveli i demokracisë dhe i qeverisjes në Shqipëri. Ndërkaq, Rama iu përgjigj Kryeministrit për mitingun që do të zhvillojë mazhoranca në datën 8 dhjetor, duke konsideruar se është e njëjta tentativë e Partisë së Punës, në kohën kur shqiptarët iu sulën ambasadave në fillim të viteve ‘90.

"Dikur Enver Hoxha thoshte rëndom: ‘Do t‘u shkulim dhëmbë e dhëmballë armiqve të revolucionit‘. Një Kryeministër që sot në mes të Europës ëndërron darën në dorë, për të shkulur dhëmbët e dhëmballët e opozitës, madje as nuk e fsheh këtë ëndërr të dhunshme enveriane, është një turp i madh për vendin e tij, për popullin e tij, për vetë Europën", tha ai.

Kreu i PS-së vuri në dukje se nëse Berisha ka vullnet të shkulë korrupsionin, i duhet të shkulë ministrat e tij nga karriget e tyre, duke filluar nga zëvendësi i vet, pastaj i duhet të shkulë familjen e tij prej poshtë tavolinës së qeverisë dhe, në qoftë se do me gjithë mend ta çojë deri në dhëmballën e fundit këtë operacion të dhimbshëm, i duhet të shkulë vetveten nga karrigia e Kryeministrit. "Ne i bëjmë thirrje të qetësohet, të hapë kutitë e votimit, të bëjmë së bashku hetimin e plotë transparent të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe të hapim të gjithë bashkë një kapitull të ri, duke e çliruar Parlamentin nga pesha e rëndë e mëkatit të zgjedhjeve të vjedhura", vërejti Rama, duke shtuar se rrugë tjetër nuk ka dhe historia e vjetër dhe e re mëson se sa më shumë pushteti i kërcet dhëmbët popullit të vet, aq më shpejt i bien dhëmbët përpara fuqisë së vetë popullit.

Referuar mitingut të 8 dhjetorit, për të cilin Kryeministri është shprehur se do të jetë festa e rrëzimit të mureve të diktaturës, Rama tha se atëherë diktatura komuniste e Ramiz Alisë e Sali Berishës organizoi një miting gjigand me lista nëpunësish e punëtorësh të shtetit, për të treguar se popullin e kishte me vete. "Të njëjtën gjë bënë edhe diktaturat e tjera komuniste në Lindje, kur qytetarë protestues nisën të kërkonin liri e demokraci. Antimitingje të stërmëdha shtetërore u organizuan për të nënshtruar psikologjikisht popullin protestues, duke bërë në fakt efektin e kundërt", tha ai, duke kujtuar se njësoj veproi më vonë edhe pushteti që vodhi votat në Ukrainë, kur opozita doli në rrugë për të kërkuar ribërjen e zgjedhjeve.

"Sali Berisha e quan festë dhe do të nxjerrë sërish nga arka e buxhetit të të gjithë shqiptarëve para të madhe për të mbytur me këngë e valle zërin e protestës opozitare, pikërisht në kujtim të një dite kur zëri opozitar shqiptar u ngrit kundër këngëve e valleve të regjimit komunist të Saliut", deklaroi Rama.

Kreu i selisë rozë bëri sërish thirrje që Kryeministri të reflektojë për hetimin e zgjedhjeve, për transparencën e kutive të votimit, dhe jemi më të vendosur se kurrë për ta çuar përpara këtë betejë me forcën e arsyes, jo me arsyen e forcës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›