Rama: Përgjegjësia ime, pushteti politik të tërhiqet nga ndikimi mbi drejtësinë

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Reforma në Drejtësi, është ideuar dhe realizuar nga Partia Socialiste.
Në një intervistë televizive, Rama tha se është hera e parë në historinë e shtetit shqiptar që persona të lidhur me pushtetin politik janë marrë në hetim, janë akuzuar e janë prapa hekurave.
Rama duke iu referuar SPAK-ut tha se PS ka krijuar një mitraloz që godet edhe majtas edhe djathtas.
“Përgjegjësia morale e imja është të bëj gjithçka kam unë në dorë që ky vend të bëhet me drejtësi. Përgjegjësia ime morale është që pushteti politik të tërhiqet nga ndikimi në drejtësi”, tha Rama i pyetur për personat e marrë në hetim nga SPAK.
“Që nga viti 1912 që u shpall Pavarësia dhe u formua qeveria e parë shqiptare e deri kur u bë Reforma në Drejtësi që e udhëhoqëm ne, Partia Socialiste e Shqipërisë. LSI erdhi mbrapa për arsye që i kemi diskutuar uli kokën ngriti dorën, reforma në drejtësi është në programin tonë në 2013”, tha Rama.
“Që kur reforma ka nisur të zbatohet, për herë të parë persona të lidhur me pushtetin politik janë marrë në hetim, janë akuzuar janë prapa hekura. Nuk ka ndodhur kurrë kjo në historinë e vendit. Nuk kontrollojmë ne dhe nuk ndikojmë ne në fuqinë që ia kemi dhënë me gjithë fuqinë tonë. Kemi krijuar një mitraloz ta pavarur që godet majtas, djathtas afër meje larg meje”- tha Rama.
Rama iu përgjigj edhe akuzave të opozitës në lidhje me përfitimet në mënyrë të paligjshme nga ana e tij.
“Cilido ka futur duart në pasuritë e përbashkëta apo ka përfituar në mënyrë të paligjshme unë nga këto nuk kam. Me mua të merret kush të dojë. Për të gjitha këto për çdo gjë që familja ime disponon dhe unë bëj në aspektin financiar unë nuk kam vetëm shpjegime, kam fakte dhe letra”- u shpreh Rama. /j.p/