Rama: Berisha gënjen, kemi 1 249 000 të papunë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka akuzuar dje kryeministrin Berisha se po mashtron shqiptarët në lidhje me shifrat e punësimit dhe rritjes ekonomike. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama ka theksuar se në Shqipëri, ndryshe nga çfarë thotë Berisha, ka një milion e 250 mijë të papunë. Për të vërtetuar këtë deklaratë Rama ka paraqitur shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, të cilat datojnë më tre shkurt.
Të dhënat e bankës përfshijnë 10 vjet, nga viti 2000 në vitin 2010. Është e datës 3 shkurt, pra e vetëm pak ditëve më parë. Rritja e forcave të punës dhe rënia e numrit të të punësuarve në 10 vjet është dramatike. Kryeministri nuk rresht së akuzuari opozitën si gënjeshtare, sepse prej vitit të shkuar ne themi se në Shqipëri ka një milionë të papunë. Le ta shohin të gjithë shqiptarët tabelën e të dhënave nga Banka e Shqipërisë ku del qartë si drita e diellit se kush gënjen. Shqipëria ka 1 milionë të papunë, sepse shqiptarët kanë një qeveri që nuk punon për mirëqenien e tyre, sepse është e paaftë, sepse është e paditur, sepse është e korruptuar deri në thonj. E në një vend ku forcat e punës janë 2 166 000, e të punësuarit vetëm 917 000, s’ ka sesi të mos rriten përditë shifrat e kriminalitetit, tha Rama. Duke lidhur rritjen e kriminalitetit me shifrat e papunësisë, Rama tha se të rinjtë po marrin rrugën e dëshpëruar të grabitjeve pasi nuk kanë mundësi tjetër ti shpëtojnë varfërisë dhe papunësisë. Sot jetojmë në një vend që tronditet përditë nga vrasjet, eksplozivët dhe nga grabitjet me armë në dorë. Mijëra vjedhje të vogla as nuk regjistrohen fare nga policia që bën sikur merret me vrasjet dhe me grabitjet e mëdha. Në krye të policisë qëndrojnë xhagajdurë me imunitet kryeministror që shpërdorojnë detyrën për përfitime krejt personale. Që kontrollojnë me uniformë dhe radio policie rrugët e kontrabandës së drogës dhe të naftës,- tha kreu i PS-së.
Shifrat e papunësisë
Popullsia në moshë pune Të punësuar Diferenca
2000 1,939,000 1,068,000 871,000
2001 1,773,000 919,810 853,190
2002 1,767,000 920,140 846,860
2003 1,826,000 926,000 900,000
2004 1,850,000 931,200 918,800
2005 2,003,000 932,100 1,070,900
2006 1,917,000 935,000 982,000
2007 2,101,000 939,000 1,162,000
2008 2,126,000 974,000 1,152,000
2009 2,146,000 899,000 1,247,000
2010 2,166,000 917,000 1,249,000
Opozita jep votën pro për 3 ligje, kundër për 2 të tjerë
Grupi parlamentar Socialist ka miratuar dje qëndrimin që do të mbajë në seancën e nesërme plenare për pesë projektligje. Në projektligjin e parë që ka të bëjë më ratifikimin en jë marrëveshjeje ndërkombëtare, PS do të votojë pro. Vota pro do të jepet edhe për kredinë për financimin e projektit të BYPASS-ve të rrugës së Fierit dhe Vlorës; si dhe për huanë për financimin e projektit të rrugës Tiranë Elbasan. Ndërkohë vota kundër do të jepet për ligjin Për mbledhjen kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë; dhe Për kontrollin e disiplinimin e punimeve të ndërtimit. Për këto dy ligje socialistët mendojnë se ka nevojë për ndryshime.