E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha po bën shantazhe për 21 janarin. Do votojmë pro heqjes së imunitetit për deputetët tanë

Share

Kreu i PS-së, Edi Rama, duke folur para grupit parlamentar të socialistëve, ka deklaruar se PS do të votojë të enjten për heqjen e imunitetit të tre deputetëve të saj, për tu hetuar nga prokuroria. Sipas Ramës, kjo tregon angazhimin e opozitës për zbardhjen e 21 janarit, ndryshe nga Berisha, që ka nisur shantazhet ndaj kryeprokurores Ina Rama.

Programi ynë i ri ka një kapitull që i referohet bashkimit të gjithë shqiptarëve në Europë. Ky kapitull do të kthehet në një angazhim detyrues për PS-në. Por, nuk ka kohë dhe ne duhet të vihemi në lëvizje për të ndihmuar Luginën e Preshevës, duke filluar që nga një maternitet dhe dy shkolla shqip. Administrata shqiptare e asaj zone nuk ka buxhet për ti plotësuar këto kushte, ndaj duhet që qeveria shqiptare të ndihmojë.  

Nuk kemi asgjë kundër nismës së qeverisë për financimin e restaurimit të një kishe serbe në Kosovë, por përse nuk investon për shqiptarët e Luginës së Preshevës?

Të enjten ne do të votojmë pro kërkesës së prokurorisë për mandatet e tre deputetëve tanë. I falenderoj deputetët për vullnetin e tyre të qartë për tu vënë në dispozicion të prokurorisë. Ne e mbështesim pas asnjë kusht hetimin dhe vetë kryeprokuroren, e cila gjendet përballë një presioni barbar të qeverisë.

Teksa nga ana e kryeministrit ka vazhduar përditë sulmi vulgar ndaj kryeprokurores, ne do ta vazhdojmë përpjekjet tona për ndërtimin e një shteti ligjor, për të bërë ndarjen e pushteteve, për të ruajtur etikën.

Ina Rama nuk është për ne Silvia Konti kur na intereson dhe lavirja e Bulevardit kur nuk na intereson. Ajo është kryeprokurorja e vendit, që duhet mbështetur.

Përpjekjen e zbardhjes së 21 janarit ne nuk mund ta çojmë përpara pa miqtë e Shqipërisë dhe përpjekjet e Berishës dëmtojnë imazhin tonë para miqve.

Saliu e ka bërë të qartë tashmë se po kërkon të marrë presidentin, kryeprokuroren, SHISHI-in dhe madje ka deklaruar se do të hetojë më pas presidentin aktual, kryeprokuroren, kreun e SHISH dhe opozitën e sotme.

Këto janë shantazhe të hapura të Berishës, të cilat nuk janë të reja. BE-ja nuk mund ta lejojë këtë gjë.

Dua të falenderoj edhe njëherë SHBA-në, që na ka ndihmuar me FBI-në. Zbardhjet e 21 janarit, falë FBI-së po zbardhejn një nga një. Fati i këtij hetimi, është vetë fati i këtij vendi dhe të ardhmes së tij.

Kushtetuta nuk mund të shkelet duke vrarë njerëz dhe nuk mund të ketë justifikime për vrasjen e qytetarëve. Ajo tragjedi duhet zbardhur dhe ndëshkuar pa humbur kohë. Duhet të ndëshkohen jo vetëm vrasësit, por edhe kjo qeveri, e cila është përpjekur dhe po përpiqet që të mbulojë vrasjet.

Berisha ka bërë zgjedhjen e tij, duke marrë krahun e krimit dhe korrupsionit dhe duke braktisur rrugën e integrimit në BE. Rrugë për të cilën ne do të përpiqemi pa fund, në mënyrë që Shqipëria mos të dështojë për të tretën herë për të marrë statusin e vendit kandidat. Për këtë arsye, të enjten ne do të votojmë për heqjen e imunitetit për tre deputetët tanë, tha Rama gjatë fjalës së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›