Rama: Berisha po bën shurdhin për reformën zgjedhore dhe presidentin
Kreu socialist, Edi Rama, në një konferencë për shtyp, ka denoncuar neglizhencën e shfaqur hapur nga kryeministri Berisha në lidhje me reformën zgjedhore dhe zgjedhjen e presidentit të ri. Sipas Ramës, Berisha po vë interesat personale mbi ato të vendit.
Miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë po bëjnë gjithçka për të na ndihmuar. Jam shumë i shqetësuar, sepse koha nuk pret dhe mesazhet e tyre po bien në vesh të shurdhër të qeverisë. Kryeministri nuk po shfaq asnjë shenjë për të vënë interesat e vendit, mbi interesat e tij krejt personale. Nuk po reflekton asgjë dhe për asgjë. Ne nuk mund ta marrim statusin e kandidatit nëse nuk mbyllim reformën zgjedhore para 24 majit. Fatkeqësisht, po digjen në dëm të procesit ditët e mbetura, duke rrezikuar procesin e integrimit dhe statusin e kandidat,t për të mbrojtur KQZ-në e Ristanit, apo për të mos lejuar transparencën mbi materialet zgjedhore.
Kryeministri po bën shurdhin ndaj kërkesës sonë për zgjedhjen e presidentit. Ne duam një president për gjithë shqiptarët, kryeministri do një president për veten. Kryeministri kërkon me çdo kusht të fusë në rreshtin e vartësve të tij edhe presidentin, edhe kryeprokuroren, edhe kreun e SHISH. Ky është një nga ato momentet politike, kur rrallë përdoret fjala që koha është flori. Koha nuk pret. Është koha për reforma dhe Berisha duhet të lërë mënjanë baltën e shpifjeve dhe akuzave të pabaza.
Të gjitha mesazhet e komunitetit ndërkombëtar tregojnë se kjo nuk është koha për të thelluar përçarjen. Kjo është koha për të dalë nga llogorja tradicionale e politikës së ditës, në funksion të zgjedhjeve që bëhen për të ardhmen. Zgjedhja për reformën zgjedhore, për zgjedhjen e presidentit të republikës dhe për reformën parlamentare, ka thënë Rama gjatë fjalës së tij.