Rama: Berisha po sakrifikon vizat për kutitë
Kryetari i opozitës i ka kërkuar kryeministrit Berisha që t'i hapë rrugë transparencës sa nuk është vonë. Sipas tij, Berisha bën shurdhin ndaj mesazheve të forta që vijnë nga Brukseli e Uashingtoni
TIRANË - Vetëm pak orë pas deklaratës së kryeministrit Sali Berisha se opozita duhet të lexojë me realizëm thirrjet e ndërkombëtareve, kryetari i opozitës, Edi Rama, përmes një konference për shtyp, i ka kërkuar kreut të ekzekutivit që t'i thërrasë mendjes sa nuk është vonë për t'i hapur rrugë transparencës. Rama theksoi se është Berisha, ai, i cili është gati të sakrifikojë edhe liberalizimin e vizave vetëm që kutitë të mos hapen.
Duke marrë shkas edhe nga propozimi më i fundit i Kuvendit për të kaluar dekretet e Topit për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë me votim të hapur, Rama deklaroi se Berisha po ecën në drejtim të kundërt me integrimin e vendit.
"Unë do të vazhdoj t'i përsëris Sali Berishës apelin për t'i thirrur mendjes sa s'është fare vonë dhe për të hapur rrugën e transparencës, liberalizimit të vizave e të integrimit, duke harruar nga ana tjetër një orë e më parë se mund ta realizojë projektin e mbretërisë së pashpallur me votime të hapura për gjykatësit në Kuvend e me kuti të mbyllura për popullin që kërkon transparencë", - tha ai.
Kryetari i opozitës shprehu dyshime në normalitetin logjik të kryeministrit Berisha, duke shtuar se kreu i ekzekutivit ka probleme serioze me kuptimin e realitetit të vendit, të njerëzve, të detyrës së tij.
"U bënë disa ditë me radhë që Shqipëria dëgjon mesazhe të forta nga Brukseli e Uashingtoni dhe në vend të shohë reagimin e duhur të kryeministrit të saj, sheh vetëm reagimin e një njeriu shurdh ndaj botës, qorr përballë realitetit, memec në raport me të vërtetat e faktet e një krize të gjithanshme, të cilën e ka shkaktuar ai e po e paguajnë përditë shqiptarët.
Ky njeri nuk po sillet si kryeministër i vendit, po si përfaqësuesi i një bote interesash, përfitimesh e veprimesh, të cilat bien ndesh me të mirën e përbashkët të vendit e të njerëzve të këtij vendi", - tha ai.
Rama shtoi se, Berisha nuk i ka fituar votat e popullit për të qenë kryeministri i Shqipërisë, por i ka grabitur ato pikërisht për të ricikluar pushtetin e interesave, përfitimeve e sjelljeve, që s'kanë të bëjnë me prioritetet e Shqipërisë e as me interesat e shqiptarëve. "Sali Berisha kujton se dështimet e tij të mëdha në qeverisjen e vendit, zvarritjen e mëtejshme të liberalizmit të vizave apo rrënimin e pandalshëm të ekonomisë, për shkakun e politikës së tij, do t'ia faturojë opozitës.
Dhe, ndërkohë shkon më tutje në aventurën e dënuar publikisht nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për kapjen e gjyqësorit, duke synuar të imponojë votim të hapur në Kuvend për gjykatësit e dekretuar nga Presidenti i Republikës.
Mesa duket e vërteta e kutive të 28 qershorit është edhe më e rëndë se sa ç'e parashohim ne, dhe frika e Berishës nga e vërteta e tmerrshme që ai fsheh në kuti është aq e madhe sa e shtyn kryeministrin tonë përditë e më thellë drejt qorrsokakut ku po e merr me vete vendin", - tha ai.
Meta: Shqipëria do plotësojë kushtet e mbetura
TIRANË - Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, deklaroi dje pas Samitit të Sarajevës se Shqipëria i ka të gjitha aftësitë dhe kapacitetet për t'i plotësuar kushtet e mbetura me qëllim liberalizimin e vizave. Në një intervistë për "BBC" - në, Meta deklaroi se udhërrëfyesi është i përbërë me kushte shumë të qarta, teknike dhe konkrete. "I gjithë procesi ka qenë i kushtëzuar.
Pikërisht dy vjet më parë u shpall nga Franco Frattini, (atë kohë Zv.president dhe Komisioneri për Çështjet e Brendshme të Bashkimit Europian), vullneti për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor.
I gjithë udhërrëfyesi është i përbërë nga kushte shumë të qarta, shumë teknike, konkrete, komplekse, të ndara në katër blloqe, të cilat përbëjnë kolonën e këtij procesi dhe unë mund të them se tashmë ka mbetur fare pak, çka është vlerësuar edhe nga Komisioneria Malmstrong, nga Komisioneri Fuele dhe nga përfaqësues të tjerë të Bashkimit Europian.
Kjo është arsyeja që propozimi është pozitiv, sepse vetë Komisioni është i bindur nga vetë monitorimi i vazhdueshëm që i ka bërë procesit të përmbushjes se detyrimeve se Shqipëria i ka të gjitha aftësitë dhe kapacitetet për t'i përmbyllur me sukses edhe këto tre çështje në vazhdim", - tha dje Meta.