Fyle: Zgjidhni krizën para vizave në PE

Samiti i Sarajevës / Në samitin e Sarajevës, pjesëmarrësit mirëpritën propozimin e Komisionit Europian për të shtrirë regjimin pa viza edhe tek shtetasit e Shqipërisë dhe të Bosnje-Hercegovinës
Ministri spanjoll, Moratinos: Plotësoni kriterin e Kopenhagen-it, nëse doni anëtarësimin
SARAJEVË - Bashkimi Europian i ka kërkuar sërish klasës politike shqiptare që të zgjidhë sa më shpejt krizën politike, nëse kërkon që Shqipëria të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave.
Ky apel u lëshua dje në konferencën për shtyp pas takimit të Samitit të Sarajevës nga komisioneri për zgjerimin Europian Stefan Fyle. Në këtë samit, pjesëmarrësit mirëpritën propozimin e Komisionit Europian për të shtrirë regjimin pa viza edhe tek shtetasit e Shqipërisë dhe të Bosnje-Hercegovinës.
Por, duke folur mbi situatën politike në Shqipëri, komisioneri Fyle, specifikoi se liderët politikë shqiptarë duhet të zgjidhin krizën politike para se propozimi pozitiv për heqjen e regjimit të vizave të lëshuar nga Komisioni Europian të kalojë për shqyrtim në Parlamentin Europian dhe në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Europian.
Për këtë arsye, ai kërkoi që forcat politike shqiptare të arrijnë në një marrëveshjeje politike, e cila, sipas tij, duhet të prodhojë zgjidhje. "Tani i mbetet në dorë Parlamentit Europian dhe Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së.
Shpresoj që procesi në të cilin janë angazhuar liderët politikë në Shqipëri të arrijë drejt një fundi, në mënyrë që të prodhohet një rezultat, një zgjidhje. Për sa i përket zgjidhjes, nevojitet që ajo të merret para se Këshilli i Ministrave të Brendshëm të mund të diskutojë këtë vendim dhe ky rezultat duhet të jetë sa më pozitiv.
Nuk do të më pëlqente të përgjigjesha në emër të institucioneve të tjera si Bashkimi Europian apo Këshilli i Ministrave. Por më duhet të them që komisioni i qëndron rekomandimit të tij pozitiv", - tha dje Fyle gjatë konferencës për shtyp, në të cilën mungoi edhe shefja e diplomacisë së BE-së , Katerinë Ashton për shkak të axhendës së ngjeshur politike.
Fyle evidentoi faktin se në procesin e liberalizimit të vizave, nuk është shtuar asnjë kriter teknik apo politik, por saktësoi se kur vendi ynë të arrijë të plotësojë tri kriteret e kërkuara nga Bashkimi Europian, atëherë qytetarët shqiptarë do të kenë shansin që të lëvizin pa viza në vendet e hapësirës "Shengen", ndërsa kërkoi që forcat politike shqiptare të mos bëhen pengesë e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë me ngërçin e tyre politik.
"Politikisht ne jemi absolutisht në favor. Vendi (Shqipëria) duhet të plotësojë listën e detyrave të shtëpisë për të pasur shansin për të udhëtuar pa viza në Bashkimin Evropian. Është ajo që është dhe nuk e kemi ndryshuar rregullat e lojës.
Nuk kemi shtuar kritere të reja politike. Komisioni i qëndron besnik rekomandimeve të qarta, ndërkohë detyrat e shtëpisë të mbetura pa bërë duhet të realizohen nga këto vende. Për sa i përket situatës politike, ajo nuk mund jetë pengesë për qytetarët e këtij vendi", - u shpreh ai.
Kriteri i Kopenhagenit
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, vendi i të cilit kryeson edhe presidencën e radhës së Bashkimit Europian, u përqendrua tek perspektiva e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe heqja e vizave me dy vendet mbetura, Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën.
Megjithëse, kreu i diplomacisë spanjolle u shpreh optimist për të ardhmen evropiane të vendeve të rajonit, ai kërkoi që këto vende duhet të plotësojnë kriteret e Kopenhagenit për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian.
"Mendoj që ka pasur progres, por megjithatë mbetet ende shumë punë për të bërë. Rajoni ka paqe dhe siguri, ndonëse ka aty-këtu disa vështirësi. Për të gjitha këto vende ballkanike që duan të bashkohen me Bashkimin Europian duhet të plotësojnë kriteret e Kopengahenit, si dhe të kryejnë reformat.
Unë nuk shoh nevojën për të reformuar reformat, por shoh nevojën për një dialog intensiv ndërmjet vendeve kandidate rreth asaj që po ndodh me Bashkimin Europian, me atë që po ndodh me paktin e stabilitetin",- nënvizoi Moratinos.
Për sa i përket liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, Moratinos tha se nevojitet përmbushja e kritereve të mbetura dhe duhen marrë parasysh se çfarë vendimesh do të marrin institucionet e Bashkimit Europian ndaj propozimit pozitiv që dha Komisioni Europian për këtë proces.
Megjithatë, sipas tij, gjatë gjithë këtyre viteve nuk ka ndodhur që Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti Europian t'i thotë jo rekomandimit të ardhur nga Komisioni Europian për heqjen e vizave.
Samiti i Sarajevës i mbajtur në Bosnje-Hercegovinë midis ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian në përfundim të tij evidentoi faktin se e ardhmja e vendeve të rajonit, përfshirë këtu edhe Kosovën, është në BE, por ato duhet që të punojnë më tej përmes dy elementëve kryesorë që, sipas Moratinos, janë angazhimi dhe përgjegjshmëria.
Në deklaratën përfundimtare të këtij Samiti theksohet se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të lëvizë përgjatë procesit të integrimit në BE mbi bazën e kritereve të përcaktuara. Gjithashtu u kërkua që dy vendet e mbetura Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina të plotësojnë kushtet e mbetura për të përfituar nga heqja e regjimit të vizave.
Pavarësisht progresit që është bërë deri më tani nga vendet e rajonit, deklarata qartëson se ato kanë akoma probleme dhe sfida të mëdha për sa i përket zbatimit të ligjit, funksionimin e sistemit të drejtësisë, si dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Sipas deklaratës, të gjitha këto elementë kushtëzojnë mjaft anëtarësimin e këtyre vende në BE.
Pikat kryesore të deklaratës përfundimtare të Samitit për Ballkanin Perëndimor
Bashkimi Europian ripërsëriti angazhimin e tij pa ekuivok ndaj perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila mbetet thelbësore për stabilitetin dhe zhvillimin e këtij rajoni. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian.
Vendet e rajonit kanë bërë progres të rëndësishëm në reformat politike dhe ekonomike, çka e tregojnë bisedimet e vazhdueshme për anëtarësim, përgatitja e Opinioneve mbi kërkesat për anëtarësim dhe krijimi i një rrjeti Marrëveshjesh Stabilizim - Associimi.
Ballkani Perëndimor duhet të intensifikojë përpjekjet e tij për të përmbushur kriteret e nevojshme të përcaktuara dhe kushtet e rëna dakord në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE. Progresi i secilit vend do të jetë në vartësi të meritave të tij.
Në veçanti, Ballkani Perëndimor vazhdon të ndeshet me sfida madhore që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, si me reformat administrative dhe të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto janë çështje kyçe për një demokraci dhe ekonomi funksionale, të cilat kushtëzojnë në një masë të madhe procesin e anëtarësimit në BE.
Përfundimi i procesit të qëndrueshëm të kthimit të refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit mbetet përparësi.
Problemet që prekin lirinë e shprehjes dhe të medias ka nevojë të trajtohen si çështje urgjente.
Pjesëmarrësit përshëndetën synimin e BE-së për ta shtrirë liberalizimin e vizave tek të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor, sapo të jenë plotësuar kushtet. Në këtë drejtim, ata mirëpritën propozimin e Komisionit Europian për të shtrirë regjimin pa viza edhe tek shtetasit e Shqipërisë dhe të Bosnje - Hercegovinës.
BE-ja ripërsëriti mbështetjen e saj të plotë për Ballkanin Perëndimor në përpjekjet e tij për intensifikimin e ritmit të reformave.
BE-ja pret me vëmendje dhe interes që Ballkani Perëndimor të lëvizë në etapat e reja të procesit të aderimit, mbi bazën e kritereve të përcaktuara dhe kushteve për të cilat është rënë dakord. Anë