Berisha - Ramës: Prano kushtet e mia. S'ka ultimatume

Kryeministri Sali Berisha tha se Rama duhet të lexojë me realizëm mesazhet e ndërkombëtarëve
TIRANË - Me gjithë apelin e faktorit ndërkombëtar për të zgjidhur krizën politike, Kryeministri Sali Berisha vazhdon që të mos pranojë kërkesën e opozitës për transparencën e zgjedhjeve, duke u shprehur i gatshëm për dialog, por pa marrë parasysh çështjen themelore.
Kreu i qeverisë theksoi dje se ai mbetet i hapur për bisedime, por më parë, sipas tij, kreu i opozitës, Edi Rama, duhet të lexojë me realizëm thirrjet e ndërkombëtareve dhe ofertat e bëra prej tyre.
Berisha vuri në dukje se Rama me qëndrimet e tij ka hedhur poshtë rezolutën e Këshillit të Europës për zgjidhjen e situatës politike. Kryeministri la të kuptohet se mazhoranca nuk do të pranojë hapjen e kutive të votimit apo shqyrtimin e fletëve të votimit, kur ai iu adresua Ramës se duhet të pranojë rekomandimet e ardhura deri më tani nga institucionet e Bashkimit Europian në mënyrë që të përfitojë sadopak, por jo ato që ai kërkon realisht.
"Dyert e dialogut me opozitën mbeten të hapura. Por një gjë do t'i kërkoj sot kryetarit të opozitës. Në interesin e tij më të mirë, të heqë syzet e së shkuarës, me të cilët lexon mesazhet e miqve dhe institucioneve ndërkombëtare.
E bëri këtë me Këshillin e Europës dhe ju jeni dëshmitarë, se nga zulmitar i madh, që lartësoi zulmin e rezolutës së Këshillit të Europës, më pas, me qëndrimet që mbajti, e shpalli një letër pa vlerë. Unë garantoj edhe një herë qytetarët shqiptarë se institucionet europiane janë në sintoni të plotë në qëndrimet e tyre.
Ndaj, zoti Rama, më mirë lexoi me realizëm, se kjo do të bëjë të mundur të përfitosh maksimalisht ato që ti mendon se të takojnë, por jo gjithçka", - tha dje Berisha gjatë mbledhjes së radhës së qeverisë.
Berisha nuk pranoi të bënte të ditur asnjë detaj nga takimi i Strasburgut, por e mohoi sërish ultimatumin e lëshuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Europian, duke thënë se nuk është dhënë asnjë ultimatum që bie ndesh me Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave, duke përforcuar bindjen se shumica në pushtet nuk do të lëshojë nga qëndrimi i saj për shqyrtimin e fletëve të votimit.
"Kurse me daljet e tua, që nga Strasburgu, the se, u dha një ultimatum, po t'u them shqiptarëve se si u mbyll Strasburgu, çka një ditë do ta them se është në interesin e tyre, por po t'u faktoj se si u mbyll Strasburgu, duhet të rishqyrtojë pak veten.
Por kam qartësuar dhe i siguroj shqiptarët se nuk është kërkuar dhe nuk kërkohet asgjë që bie ndesh me Kushtetutën, me ligjet dhe vendimet e gjykatave të këtij vendi. Institucionet europiane janë në sintoni të plotë në qëndrimet e tyre.
Hiqi nga koka ultimatumet. Nuk mund të ekzistojnë ultimatume, edhe në qoftë se ndonjë qëndrim ekzotik dhe kur them ekzotik, them tepër i rrallë, duhet ta hedhësh poshtë, kur ta thotë kush në vesh, sepse Europa është për shtetin ligjor", - u shpreh ai.
Numri një i ekzekutivit iu adresua kreut të opozitës, Rama, duke i kërkuar atij që të pranojë kushtet e mazhorancës që, sipas Berishës, kjo e fundit ka lëshuar shumë, duke i dhënë opozitës shumicën dhe kryesimin në komisionin hetimor parlamentar vetëm e vetëm për të shpëtuar kreun e saj nga kjo situatë politike.
"Më mirë, përfito nga dialogu, përfito nga vullneti i kësaj qeverie, e cila, për të shpëtuar faqen tënde, ka vendosur jashtë çdo lloj tagri, të marrë pjesë në komisionin hetimor parlamentar, pa asnjë detyrim ligjor, ka vendosur për të njëjtin motiv të të japë shumicën, por jo ligjore, se këtë nuk e lejon ligji, por shumicën në votim, duke bërë një truk, të të japë njëkohësisht edhe kryetarin dhe këtë e ka bërë me qëllimin më të mirë, për të të vlerësuar si opozitë, të të japë të drejtën ekskluzive, që nuk ka ndodhur kurrë në këtë vend dhe në asnjë vend tjetër, të hartosh të gjitha amendamentet për zgjedhjet e reja dhe mazhoranca t'i votojë ato pa kushte, vetëm pasi të merret një opinion nga Komisioni i Venecias apo ODHIR", - theksoi Berisha.
Lideri i mazhorancës nuk specifikoi sesi do të arrihet dialogu me opozitën për zgjidhjen e krizës, kur palët nuk po lëshojnë "pe" nga qëndrimet e tyre, por vetëm theksoi ky dialog është i mundshëm, pasi, sipas tij, mazhoranca nuk e koncepton opozitën si armike, por si një kundërshtar, me të cilin nevojitet të arrihet një konsensus politik.