Rama: Berisha tu kërkojë ndjesë gjithë shqiptarëve
Tiranë- Plot 24 orë pas ngjarjes së shëmtuar në Kuvendin e Shqipërisë, me protagonist kryeministrin e vendit ka reagur kreu i opozitës, Edi Rama. Gjatë një deklarate për mediat ai ka kërkuar nga kryeministri të kërkojë ndjesë jo vetëm për deputetin e fyer familjarisht, për deputetët e sallës, por për gjithë ata që dëgjuan apo morën vesh se çfarë ngjau në sallën e parlamentit.
“Prita 24 orë për t'i dhënë Kryeministrit Sali Berisha shansin që të ngrihet nga bataku i primitivizmit ekstrem, ku u zhyt kokë e këmbë në mes të natës së pardjeshme, duke spërkatur me baltë gjithë Parlamentin e Shqipërisë dhe duke turpëruar të gjithë popullin që e ka kryetar qeverie, dhe për të kërkuar ndjesë. Prita 24 orë për t'i dhënë Kryeministrit Sali Berisha mundësinë që të kujtohet se nuk jemi as në kohën e kacafytjeve mes fiseve primitive dhe as në vendin e hakmarrjes a të gjakmarrjes, por në shekullin e XXI-të dhe në Shqipërinë kandidate për NATO e për Bashkimin Europian, ku është e papërfytyrueshme të qeveriset duke sharë nga motrat e duke dhunuar me fjalë e me grushte deputetët e opozitës dhe ku ndjesa publike pas shfaqjesh shumë herë më pak të papëlqyeshme se sa ajo e kryeministrit tonë parmbrëmë është normë e pashmangshme”- tha Rama.
Ai ka deklaruar se ka pritur me shpresë se Berisha do të gjente kurajën për të shprehur pendesën e tij për atë shfaqje monstruoze që ka skandalizuar e shqetësuar çdo shqiptar, të madh e të vogël, prindër e fëmijë. Rama ka kujtuar se dje nuk ishte dita për të bërë replikën bajate të radhës dhe aq më pak për të kërcitur dhëmbët duke iu përgjigjur vulgaritetit qeveritar me vulgaritet opozitar, po dita për t'u lënë të gjithë shqiptarëve mundësinë të njihen me dëshminë rrëqethësedhe të dëgjojnë dëshmitarët, në emër të të cilëve foli dje Kryetarja e Grupit Socialist.
Ndërsa sot, sipas tij është dita për të thënë se Sali Berisha e mbuloi veten parmbrëmë me një turp tjetër, të pashembullt e të padëgjuar në historinë e Shqipërisë e të Evropës, por edhe se turpi i dy netëve më parë sot rëndon akoma më shumë sepse duke mos kërkuar asnjë lloj ndjese Kryeministri i Shqipërisë u thotë të gjithë shqiptarëve, pa dallim, se për të s'ka asnjë fije rëndësie dinjiteti i tyre si qytetarë e si zgjedhës.
Këtë turp të madh, sipas tij, asnjë shqiptar e shqiptare s'duhet ta harrojë dhe madje duhet ta kujtojë mbi të gjitha ato që duhen mbajtur mend për ditën e zgjedhjeve të ardhshme. Sepse kjo e këtyre dy ditëve ishte shprehja më shembullore e faktit se shqiptarët e shqiptaret, qofshin ata që nuk e kanë votuar qofshin ata që e kanë votuar Sali Berishën,
për Kryeministrin e Shqipërisë s'janë vëllezër e motra, s'janë nëna e baballarë, s'janë gjyshër, nipër e mbesa, s'janë njerëz të cilëve ai duhet t'u shërbejë me përkushtim e përulësi, por janë thjesht një turmë ndaj së cilës zoti Kryeministër s'ka as detyrimin të përmbajë pulsionet e tij primitive e as obligimin minimal të ndjesës publike.
“Përkundrazi, në vend të ndjesës me duart e shërbëtores së tij Jozefinë, Kryeministri përjashtoi për 15 ditë nga Kuvendi viktimën e barbarisë së tij. Kush ka sy të shikojë kush na qeverisë, kush ka veshë të dëgjoj si na qeverisë, kush ka mend të mos harrojë asgjë, për të mos lejuar që ky njeri jo vetëm i paaftë e i papërgjegjshëm, por edhe i paskrupullt, të na qeverisë përtej afatit që i skadon në më pak se një vit”- tha më tej ai, duke shtuar se kjo ndodhi e turpshme është një arsye kuptimplotë më shumë për t'i dhënë jetë bashkimit të ri të të gjithë qytetarëve, socialistë, demokratë apo pa parti, që duan një jetë me dinjitet në një Shqipëri dinjitoze.
Rama ka kujtuar edhe njëherë se është koha për ta shkulur të keqen e rrënjosur thellë në politikën shqiptare, pa rënë në batakun e gjuhës së egër të sharjeve e shpifjeve reciproke, po duke vazhduar me largpamësi e vendosmëri rrugën që na ndan nga politika e vjetër e 17 vjetëve dhe nga shëmbëlltyra e saj më e keqe, Sali Berisha.