Rama-Berishës: Jetë të gjatë, të shohësh Shqipërinë e mohuar europiane

Saliu njoftoi sot futjen e Zotit ne koalicionin qeveritar per 2013! Tallje me shqiptaret deri ne perbuzje apo thjesht i dale mendsh? Pikërisht me këtë dilemë të shtruar më herët në rrjetin social twitter e ka nisur edhe fjalimin e tij në një aktivitet të forumit të gruas socialiste, kreu i PS-së Edi Rama.
Pavarësisht toneve ironike, Rama nuk ka kursyer urimet ndaj liderit të mazhorancës, duke i uruar jetë të gjatë dhe kjo sipas tij për të parë dhe kuptuar jo vetëm sesa dëm ka bërë gjatë këtyre viteve, por dhe sa e mundur është Shqipëria europiane që po ua mohon prej vitesh shqiptarëve.
Duke vlerësuar programin e PS-së për një “ Rilindje Shqiptare” , Rama tha se në një vend ku burrat luajnë me fatet e vendit, duhet një përfshirje më e madhe të grave në qeverisje .
“Nuk është e lehtë të jesh grua apo vajzë në Shqipëri dhe të merresh me politikën. Burrat fakeqësisht me përjashtime kanë mbetur aty ku i pat lënë ai që pat thënë.... burrat nën hije lozin kuvendojnë pika që s`iu bie se nga gratë rrojnë...Duke qëndruar nën hije dhe duke lozur me fatet e këtij vendit, burrat kanë marrë përgjegjësinë e lënies së Shqipërisë këtu ku jemi. Ndaj unë jam i idesë të përfshijmë sa më shumë gra dhe vajza dhe ti nxjerrin burrat nga hija ku kuvendojnë dhe të bëjnë të mundur Rilindjen Shqiptare”,- theksoi Rama.
Akreditimi i Universiteteve, varfëria dhe korrupsioni kanë qenë cështje të tjera për të cilat kreu i PS ndau shqetësimet me gratë socialiste, duke vënë theksin në faktin se alternativa e PS dallon nga ajo e forcës tjetër,nuk janë njësoj. Në këtë kontekst ai premtoi se me ardhjen në pushtet të tij ligji për importin e plehrave do të anullohet menjëherë.