Rama-Berishës: Ndal vendimet pas 23 Qershorit

Kryetari i PS, Edi Rama i ka bërë thirrje sot kryeministrit ende në detyrë, z Sali Berisha që të ndalë miratimin e vendimeve të qeverisë. Sipas Ramës, populli e ndëshkoi pikërisht për këto vendime që ka marrë ndaj qeveria e ardhshme do të sillet e rreptë ndaj cdo aktiviteti privat që nis punën pas 23 Qershorit.
Thirrja e Ramës u bë sot në punimet e Asamblesë Kombëtare të PS, ku Rama mbajti një fjalim hyrës.
"Jam i detyruar tu bëj thirrje të gjithë subjekteve që të mos vazhdojnë bashkëpunimin me këtë qeveri, pasi ne do jemi të rreptë me çdo produkt të bashkëpunimit të subjekteve private me qeverinë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Është e pamundur që një qeveri e ndëshkuar nga populli të vazhdojë sikur s’ka ndodhur asgjë dhe të marrë vendime mbi pasuritë kombëtare për çështje për të cilat u ndëshkua me votë", tha kryesocialisti Rama sot në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste
Deklarata e Ramës vjen pas mbledhje së qeverisë ku u miratuan rritja e pagave dhe pensioneve dhe pas mbledhjes më të fundit të Këshilli Kombëtar i Territorit ku u miratua plani kombëtar sektorial për gazsjellësin TransAdriatik, si dhe lejet zhvillimore komplekse për ndërtimin e disa hidrocentraleve dhe disa plane të përgjithshme vendore.