Rama, Berishës: Po zbraz buxhetin vendor
Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, Edi Rama ka vendosur t‘i kthehet punëve të bashkisë, duke sulmuar Kryeministrin për buxhetin lokal. Gjatë inspektimeve te parku i madh në Tiranë, ai nuk ka hezituar të debatojë në distancë me shefin e qeverisë, duke i kërkuar të largojë duart nga pushteti lokal. Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, njëherësh dhe kryetar i Partisë Socialiste, akuzoi dje Kryeministrin Berisha se po mbush arkën e boshatisur të buxhetit të shtetit, duke zbrazur buxhetet e pushteteve lokale. Pas inspektimit të ndërtimit të disa rrugëve në zonën e Liqenit, Rama është shprehur se "përfitoj nga rasti t‘i bëj një paralajmërim Kryeministrit, që sulmin e pandalshëm ndaj financave lokale, ta ndalë, sepse do të ndeshet me një rezistencë dhe me një refuzim që unë nuk do ta dëshiroja, si një pjesë tjetër të një jete shoqërore në Shqipëri, që është në krizë të gjithanshme, në krizë demokratike, në krizë të shtetit të së drejtës, në krizë ekonomike". Sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, "është e patolerueshme që ky njeri i papërgjegjshëm, ky njeri i paaftë, ky delirant i pandreqshëm, të zhbëjë atë që është ndërtuar gjithë këto vite, si autonomi vendore dhe të zbrazë arkat e pushteteve vendore dhe të qyteteve të vendit, për të mbushur atë që nuk mbushet dot më, gropën e zezë të buxhetit të shtetit, si rezultat i të gjitha abuzimeve dhe shpërdorimeve të gjithanshme dhe i politikave të tij, tërësisht shkatërruese, të cilave shqiptarët po u dëgjojnë dhe do t‘ua dëgjojnë gjithnjë e më shumë krismën". Pas kësaj deklarate politike, kryebashkiaku është shprehur edhe në lidhje me ecurinë e projektit për rehabilitimin e Parkut të Madh të Liqenit, ku theksoi se "jam shumë i kënaqur që ky projekt i transformimit rrënjësor të infrastrukturës së parkut tonë kryesor në qytet, po ecën me shpejtësi dhe cilësi e sigurisht që të tjerë komponentë do t‘i shtohen në vijim këtij parku". Është rikonstruktuar një rrugë në jug të parkut të madh, e cila ka një gjatësi prej 1600 metrash linearë. Është rikonstruktuar rruga ‘Vëllezërit Frashëri‘" në parkun e madh, rruga ka një gjatësi prej 1056 metrash linearë. Rruga e menduar me një gjerësi shtrati prej 4 metrash, është shoqëruar me disa sheshe urbane të ritrajtuara, të pajisura me ndriçues, stola dhe kosha, pra të gjithë elementet urbanë të nevojshëm. Edhe në këtë rrugë, punimet janë drejt përfundimit. Është bërë gjelbërimi i Parkut të Liqenit dhe si, pjesë e rëndësishme e projektit për rehabilitimin e Parkut të Madh të Liqenit, është realizuar edhe shtimi i sipërfaqes së gjelbër ose rinatyralizimi i tij, duke synuar shtimin e florës së parkut dhe mbjelljen e fidanëve të rinj në të. Për këtë arsye, në një sipërfaqe të konsiderueshme prej 7135 m² është realizuar mbjellja e rreth 2600 rrënjëve të reja pemësh. Sipas Ramës procesi i gjelbërimit të parkut do të vazhdojë në muajin dhjetor, kohë kur është edhe sezoni i mbjelljes së pemëve dhe do të përfundojë para datës së kontraktuar.